Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shtetasi H. K., 38 vjeç, është arrestuar me qëllim ekstradimin në Kosovë.
Ai është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata e Apelit në Pejë me një vit e gjashtë muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave.
Gazeta Sinjali kishte raportuar më 26 janar 2021 për arrestimin e katër personave në Pejë, mes tyre edhe H. K., pas dyshimeve për falsifikim të parasë.
Rasti kishte nisur më 23 janar 2021, kur dy persona kishin këmbyer 2 mijë e 500 dollarë amerikanë në euro. Pas punës operativo-hetimore, Policia kishte identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuar më 25 janar, përfshirë H. K., i lindur në vitin 1988.
Gjatë operacionit, policia kishte sekuestruar edhe 4 mijë e 50 euro te njëri prej të dyshuarve. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarve u ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Sipas Policisë së Shtetit, autoritetet kosovare dyshojnë se H. K., gjatë vitit 2021 dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte tentuar të hidhte në treg në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.
Arrestimi i tij në Rinas është bërë në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, ndërsa Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare për përfundimin e procedurave ligjore dhe ekstradimin e tij në Kosovë.