Përurohet fabrika e brumërave "Gerti Foods", e para e këtij lloji në Evropën Juglindore

- Bota Sot

Përurohet fabrika e brumërave "Gerti Foods", e para e këtij lloji në Evropën Juglindore

Sonte është bërë përurimi i fabrikës së prodhimit të brumërave "Gerti Foods", e parë e këtij lloji në Evropën Juglindore, e cila synon mbi 70 për qind të prodhimit ta eksportojë në vendet e Bashkimit Evropian, duke promovuar kështu jo vetëm produktet tona, por edhe Kosovën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm.

Me teknologjinë më të avancuar në këtë fabrikë, nga e hëna do të prodhohen, 1 mijë e 300 pica të ndryshme për ore, 800 tepsi pite të ndryshme, 3 mijë kroasante, 3 mijë pjekurina, 6000 tortillash si dhe 400 kg bakllava.

Drejtori ekzekutiv, Ismet Mulaj derisa ka treguar më shumë detaje për themelimin e kësaj fabrike, ka thënë se kjo do të ndikojë edhe në ekonominë e vendit.

Mulaj: Kapaciteti prodhues i Gerti Foods është jashtëzakonisht i madh

"Gerti Foods do të jetë gjithmonë një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm midis bizneseve lokale dhe ndërkombëtare. Fabrika jonë është rezultat i investimeve të realizuara nga tre familje hasjanë, familjes Agushaj me biznes në Suharekë, Osmanollaj me biznes në Hungari dhe Binaj me biznes në Kroaci. Ideja ka filluar para tri vjetësh, prej një njeriu të thjeshtë, por me ide inovative dhe revolucionare në industrinë e ushqimit, sidomos në të bërit biznes...Shpejtim Agushaj, është përkushtim i tij e angazhim që për tri vjet që kemi punuar së bashku të realizohet ky projekt...Sot kemi instaluar linjat më automatike që ekzistojnë në Evropën Juglindore. Kapaciteti prodhues i tyre është jashtëzakonisht i madh, linja e picave prodhon nëntë lloje të picave, me kapacitet 1mijë e 300 copa në orë, linja e pites prodhon gjashtë lloje me kapacitet 800 tepsinnë krë, linja e tortilles me kapacitet 6 mijë copa në orë, linja e kroasantëve me kapacitet 3 mijë copa në orë dhe linja e pjekurinave 3 mijë copa në orë. Një fabrikë që nuk e ka shoqen në Evropë Juglindore", tha ai.

Ndërsa shtoi se në ndërtimin dhe pajisjen e kësaj fabrike, kanë bashkëpunuar ngushtë me kompani të njohura italiane, franceze dhe turke, të cilat kanë furnizuar me linjat dhe makineritë më moderne të prodhimit në mënyrë që të arrihen standardet e larta të cilësisë dhe efikasitetit që kërkohen në tregun ndërkombëtar.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj derisa ka falënderuar themeluesit e kësaj fabrike, është shprehur i lumtur që tashmë falë punës së qytetarëve prodhuesit tanë po importojnë dhe po dërgojnë prodhimet tona jashtë vendit.

Muharremaj: Do t’i ndihmojmë bizneset sa më shumë

"Më vjen mirë që ka ardhur koha që qytetarët tanë po bëhen bashkë dhe po investojnë në Kosovë...Qëllimi kryesor është që ka ardhur koha që qytetarët tanë, prodhuesit tanë po importojnë dhe po dërgojnë prodhimet tona jashtë vendit, sepse jemi mësuar vetëm të blejmë dhe ka ardhur koha edhe ne të prodhojmë dhe të importojmë. Ne si organe komunale dhe qeveritare duhet të punojmë më shumë dhe t’iu ndihmojmë bizneseve sa më shumë", tha Muharremaj.

Drejtori i KIESA, Zef Dedaj, është shprehur i bindur se shumë shpejt këto produkte do ti shtohen gamës së produkteve në tregun ndërkombëtar.

Dedaj: Eksportet e Kosovës po rriten

"Një kompani shumë premtuese duke ditur që aplikon një teknologji inovative shumë të avancuar e synon të prodhojë një gamë të madhe të produkteve. Jam i bindur se këto 33 produkte shumë shpejt do ti bashkohen gamës së produkteve të eksportit. Eksportet e Kosovës po rriten...Sot eksportet variojnë nga 920 milionë më 860, varësisht mund të ketë rënie të lehtë, por ka rritje në sasi, por mbi të gjithë ka ndryshuar gama e produkteve. Këto 920 milionë nuk dominohen tani nga produktet që kanë një vlerë të shtuar, por ka shumë produkte të reja të cilat po depërtojnë në tregun ndërkombëtar, kjo tregon qëndrueshmëri më të lartë ekonomike. Dhe këto produkte që po inaugurohen sot, me një punësim të shëndoshë dhe përbërje nga 50 për qind nga gjinia femërorë jam i bindur se shumë shpejt këto produkte do ti shtohen gamës së produkteve në tregun ndërkombëtar", tha Dedaj.

Kryetari i Dhomës së Industrisë, Tregtisë Kosovë, Skënder Krasniqi ka bërë thirrje qeverisë të punojë më shumë në mënyrë që Kosova të ketë të drejtë të eksportojë produkte me origjinë yndyrore dhe shtazore, pasi mos licencimi i shpejtë do të krijojë pengesa siç ka krijuar deri më tani.

Krasniqi: Gerti Foods është e gatshme të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare

"Fabrika e parë e këtij lloji në Evropën Juglindore. Është një moment i veçantë jo vetëm për themeluesit e kësaj kompanie të re, por edhe për komunitetin dhe ekonominë e vendit tonë. Investimi në "Gerti Foods", është një dëshmi e fuqisë dhe vullnetit të komunitetit tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për gjithë ne...Jam i sigurt së kjo kompani është e gatshme të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare dhe të dërgojë produktet e cilësisë së larta nga Kosova në botë. Kjo kompani është shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit dhe integrimit të teknologjisë dhe dijes bashkëkohore në traditat tona më të mira. Por për të eksportuar kjo kompani, Qeveria e Kosovës duhet të punojë shumë më shumë që Kosova të ketë të drejtë të eksportojë produkte me origjinë yndyrore dhe shtazore, d.m.th AVUK duhet të licencohet sepse mos licencimi i shpejtë do të krijojë pengesa siç ka krijuar deri më tani", tha Krasniqi.

Përfaqësuesi i Shoqatës Esnaf, Varis Xhejlan tha se shpreson që fabrika e përuruar sot të jetë një investim i rëndësishëm në zonën ekonomike të Prizrenit.

Xhejlan: Të investohet në makineri të re

"Shpresoj fabrikën e dytë të investoni në zonën ekonomike të Prizrenit, dhe të mos paguani qira, por të investoni në makineri të re", tha Xhejlan.

Investimi në këtë fabrikë është realizuar nga dy mërgimtarë dhe një biznes lokal nga rajoni i Hasit, të cilët kanë një traditë shekullore në këtë industri. Pjesa më e madhe e linjave dhe makinave që përdorën në fabrikë janë blerë nga kompani të njohura italiane dhe turke. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot