Rrëmbimi i prizrenasit në Gjonaj: E rrahën dhe e çuan në Shqipëri shkaku i borxhit

- Gazeta e Prizrenit

Rrëmbimi i prizrenasit në Gjonaj: E rrahën dhe e çuan në Shqipëri shkaku i borxhit
Borxhet prej qindra e mijëra eurove shumë shpesh kanë shkaktuar incidente dhe kanë eskaluar në sulme e kërcënime serioze – madje edhe në rrëmbim. Një incident i tillë dhe mjaft i rëndë ndodhi edhe pasditen e djeshme në Gjonaj të Prizrenit, ku një person u rrëmbye dhe u sulmua fizikisht nga dy të tjerë për shkak të një borxhi financiar, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti ka ndodhur të mërkurën pasdite dhe Policia tashmë ka arritur t’i prangos dy personat e dyshuar për rrëmbimin e viktimës.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima është një 44-vjeçar, i cili u mor me forcë nga të dyshuarit në fshatin e tij, si hakmarrje për shkak të një borxhi.

Sipas informacioneve të para, dy të dyshuarit, njëri nga Kosova e tjetri nga Shqipëria, shkuan në Gjonaj pas orës 21:00 dhe e kontaktuan viktimën që të takohen për të biseduar.

Pasi 44-vjeçari ka dalë në rrugë, të dyshuarit ia kanë zënë pritën dhe e kanë marrë me forcë në veturë, ku dyshohet se edhe e kanë rrahur me grushte e me shqelma.

Të njëjtat burime thonë se të dyshuarit ia kanë mësyrë Shqipërisë, përmes rrugëve malore, por pas bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, të dyshuarit janë kapur në zonën e Qafë Prushit.

Stacioni policor Alfa e ka trajtuar fillimisht incidentin dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ndërsa më pas kanë vazhduar Hetimet Rajonale me procedimin e rastit.

Pas arrestimit dhe shoqërimit në Polici, të dyshuarit janë intervistuar, ndërsa vetura e tyre pa targa është sekuestruar.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit