KQZ njofton se votuesit e regjistruar nga Diaspora do të hiqen nga listat brenda Kosovës

- Gazeta e Prizrenit

KQZ njofton se votuesit e regjistruar nga Diaspora do të hiqen nga listat brenda Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me informacion të rëndësishëm sa i përket votuesve të regjistruar jashtë Kosovës. Të gjithë shtetasit e Kosovës që u regjistruan për të votuar jashtë vendit gjatë periudhës 120 ditore, nga 29 gushti deri më 26 dhjetor do të largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Ky lajm është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se ky është detyrim ligjor për KQZ-së nga paragrafi 9 i nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Është detyrim ligjor për KQZ-në që secilin votues të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion, ne, ua kemi transmetuar individualisht çdo shtetasi që ka aplikuar dhe është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, qoftë për të votuar në përfaqësi diplomatike apo përmes postës”, tha Elezi për RTK.

Ja çfarë ndodh me shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe nuk janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.

Elezi ka thënë se shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk janë regjistruar si votues jashtë Kosovës do ta gjejnë emrin e tyre në Listën e Votuesve që shpërndahet në vendvotime dhe do të mund të votojnë më 9 shkurt 2025 në vendvotimin e tyre në Kosovë.

“Lista e Votuesve e cila shpërndahet në vendvotime përmban të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote. Pra, në listë, përveç shtetasve që jetojnë në Kosovë, përfshihen edhe shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk janë regjistruar si votues jashtë Kosovës”, sqaroi Elezi.

Në fund, zëdhënësi i KQZ-së  tregoi se platforma elektronike e KQZ-së https://qv.kqz-ks.org do të jetë funksionale deri në përfundim të procesit të votimit më 9 shkurt 2025 dhe deri atëherë, çdo ditë, shtetasit e Kosovës mund të shohin se ku është vendvotimi i tyre.

Gjithashtu, përmes kësaj platforme, edhe votuesit e regjistruar jashtë Kosovës mund ta konfirmojnë se janë regjistruar si votues jashtë Kosovës.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit