Alejandro Garnacho mbetet objektivi kryesor i Napolit për të zëvendësuar Khvicha Kvaratskhelia dhe me Patrick Dorgu që po i bashkohet Manchester United, Partenopei shpresojnë të finalizojnë një marrëveshje brenda 48 orëve, raporton La Repubblica.
Napoli shpreson që transferimi i afërt i Dorgu te Manchester United do t’i mundësojë atyre të sigurojnë shërbimet e Garnacho nga Djajtë e Kuq.
Megjithëse Sky Sport Italia pohon se negociatat mes dy klubeve nuk kanë përparuar në orët e fundit, Repubblica rithekson se kampionët e Serie A synojnë të mbyllin marrëveshjen me Manchester United brenda dy ditëve të ardhshme.
Mendohet se Napoli nuk do të ofrojë më shumë se 55 milionë euro, përfshirë bonuset, për talentin argjentinas, ndërsa kërkesa e Manchester United mbetet ende afër 80 milionë eurove.
Megjithatë, me Dorgu që po transferohet në Old Trafford dhe Garnacho që tashmë ka një marrëveshje personale me Napolin, Partenopei shpresojnë të bindin Manchester United të ulë kërkesat e tyre dhe të sigurojnë nënshkrimin e argjentinasit përpara mbylljes së merkatos dimërore më 3 shkurt.
Sky Sport dhe burime të tjera të besueshme italiane raportojnë se alternativa kryesore e Napolit ndaj Garnacho, Karim Adeyemi, nuk dëshiron të transferohet në Stadio Maradona, pasi synon një kalim në Premier League gjatë verës.
Ndërkohë, Napoli po punon edhe për përforcime në mbrojtje dhe mund të bëjë një ofertë të madhe për Pietro Comuzzo të Fiorentinës.
Nëse arrijnë të transferojnë një mbrojtës për më shumë se 30 milionë euro, atëherë Partenopei mund të konsiderojnë një marrëveshje huazimi për përforcimin e sulmit, duke hequr dorë nga ndjekja e Garnacho.