Guardiola: Kur shkarkon tre katër trajnerë në sezon, problemi është te drejtuesit

- Bota Sot

Guardiola: Kur shkarkon tre katër trajnerë në sezon, problemi është te drejtuesit

Pep Guardiola kritikoi shkarkimet në masë të trajnerëve në futbollin brazilian dhe bëri një sugjerim.

Në edicionin e fundit të Brasileirão-s, pati 20 shkarkime trajnerësh, ndërsa në Premier League vetëm tre.

"Në vitin tim të parë te Manchester City nuk fitova asgjë. Nëse do të më kishin shkarkuar, nuk do të kishim përjetuar këto tetë apo nëntë vite që kemi kaluar bashkë.

Dhe tani nuk më kanë shkarkuar këtë sezon sepse kemi fituar shumë në të kaluarën. Por kjo është e pamundur," tha ai në një intervistë për TNT Sports.

"Nuk e di arsyen e shumë shkarkimeve në Brazil, por klubet duhet të kuptojnë se kur kalojnë një sezon me tre ose katër trajnerë të ndryshëm, problemi është te ata që i zgjodhën këta trajnerë.

Atëherë, ata duhet të shkarkojnë drejtuesit që i morën këta trajnerë," shtoi ai, duke theksuar se ky është një problem që shkon përtej futbollit.

Guardiola argumentoi se kur një trajner zgjidhet, duhet të dihet që ai mund të fitojë ose të humbasë, por ai zgjidhet për një arsye. "Shikon që ai trajner dhe idetë e tij përputhen me mënyrën e menaxhimit dhe me lojtarët që ke në atë moment, dhe beson se ideja mund të funksionojë.

Nëse më vonë e kupton që nuk punon, që është dembel, problemi është yti. Duhet ta dish pse e ke marrë. Shtëpitë ndërtohen me kohë, jo për një, dy apo tri ditë. Vetëm një skuadër fiton, a do të thotë kjo që 19 apo 20 ekipet e tjera në Brasileirão janë të këqija?"

Në fund, tekniku i Manchester City-t kritikoi mentalitetin e përgjithshëm që e lidh suksesin vetëm me fitoret.

"Jemi shumë të keqedukuar në mbarë botën, si në sport ashtu edhe në politikë. Duket sikur të gjithë duhet të fitojnë ‘tripletë’ çdo sezon për të pasur kënaqësi personale në jetë.

Duhet të ndalemi dhe të reflektojmë pak. Por kjo është një pyetje për drejtuesit brazilianë," përfundoi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot