Teuta – Vllaznia është një nga sfidat e javës së 23-të të Superiores, duel ky që do të luhet ditën e nesërme në orën 16:30.
Takim shumë i rëndësishëm për objektivat e ekipeve në rrugëtimin e tyre në Superiore.
Si durrsakët ashtu edhe shkodranët në këtë sfidë vijnë pas humbjeve, ndërsa do të tentojnë të rikthehen te fitorja në kampionat.
Pavarësisht momentin që po kalojnë në Superiore, statistikat e përballjeve direkte tregojnë se Vllaznia e Thomas Brdaric është favorite.
Kjo pasi në 10 ndeshjet e fundit mes tyre, shkodranët ia kanë dalë të triumfojnë 7 herë, teksa 3 sfida kanë përfunduar në barazim. Kjo do të thotë që “Djemtë e Detit” nuk e njohin fitoren prej vitesh përballë kuqebluve dhe për të parë një triumf të tyre duhet të kthehemi thuajse 4 vite pas.
Më 28 tetor 2021 është fitorja e fundit e Teutës përballë Vllaznisë. Në atë sfidë të zhvilluar po në “Niko Dovana”, durrsakët do të triumfonin 3-0, ku golat e Albano Aleksit, Sebino Plakut dhe Ildi Grudës do t’i jepnin 3 pikët durrsakëve. Ironi e fatit është se Ildi Gruda tashmë mban veshur fanellën e shkodranëve.