Duka: Keni potencial të madh, duhet të bëjmë akoma më shumë

- Bota Sot

Duka: Keni potencial të madh, duhet të bëjmë akoma më shumë

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë mbajti punimet e Asamblesë së Përgjithshme vjetore, ku anëtarësia diskutoi çështjet më të rëndësishme të veprimtarisë së saj gjatë vitit 2024. Në këtë mbledhje vjetore morën pjesë 44 anëtarë të shoqatës të përfaqësuar nga 66 delegatë.

Në asamblenë e zhvilluar mesditën e kësaj të mërkurë në “Shtëpinë e Futbollit”, u shqyrtua jo vetëm raporti i aktivitetit përgjatë vitit 2024, por delegatët miratuan buxhetin e vitit 2025, teksa u njohën me arritjet dhe problematikat e kësaj shoqate përgjatë vitit 2024.

Të pranishëm në këtë Asamble vjetore të SHRF Tiranë ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka si edhe CEO i grupit “Sigal Uniqa”, z. Avni Ponari, i cili ishte i ftuar për t’iu prezantuar anëtarëve të shoqatës nismën për sigurimin shëndetësor të fëmijëve që luajnë futboll me ekipet anëtare të SHRF Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka tha se futbolli shqiptar ka përjetuar zhvillime pozitive gjatë vitit 2024, ndërsa nënvizoi se Shoqata duhet të punojë më shumë gjatë këtij viti dhe të prodhojë vetë të ardhurat financiare dhe të rrisë edhe më shumë numrin e vajzave në futboll.

“Futbolli në Shqipëri në përgjithësi ka parë zhvillime pozitive, aktivitete vërtetë historike përgjatë këtij viti dhe Shoqata e Tiranës si Shoqata më e madhe e Shqipërisë pa dyshim që ka një meritë të veçantë në këtë zhvillim. Gjatë vitit 2025, Shoqata numëron 6620 futbollistë që është e barabartë me 1/4 e futbollistëve në gjithë Shqipërinë. Kjo tregon potencialin dhe rëndësinë e madhe që ka Shoqata Rajonale Tiranë për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Sot ju do të miratoni pasqyrat financiare të vitit 2024 të Shoqatës, që fatkeqësisht zërin kryesor të të ardhurave e kanë donacione nga Federata Shqiptare e Futbollit. Dhe të keni tendencë për ta ndryshuar atë në të ardhmen, për të krijuar më shumë të ardhura. Vërtetë ka nisur një punë nga drejtuesit e Shoqatës për të pasur të ardhura nga vetë, apo nga sponsorizimet apo nga marketimi i aktivitetit të Shoqatës, jo si në të gjitha Shoqatat e tjera, por në mënyrë të veçantë.

Ka filluar për ju, por duhet që ky zë të jetë zëri kryesor i të ardhurave për zhvillimin normal të aktivitetit. Pa dyshim që transparenca e të gjithë pasqyrave financiare është e rëndësishme. Të dini gjithçka se çfarë është bërë dhe se ku shkojnë fondet dhe krijon besimin te ju për ta konsoliduar akoma më shumë dhe për të kontribuar akoma më shumë në shëndetin e këtyre financave.

Gjithashtu do të miratoni edhe buxhetin e vitit 2025 që parashikon përsëri kryesisht të ardhura nga donacionet e Federatës dhe vazhdimin e projekteve siç është projekti ‘Uniforma ime’, ‘Topi Yt’ dhe të gjitha organizimin e projekteve të tjera.

Ne sot kemi të ftuar drejtuesin e kompanisë Sigal, z. Avni Ponari, të cilin e falënderoj që është këtu, për të prezantuar një projekt tjetër të iniciuar nga drejtuesit e SHRFT në bashkëpunim me Sigal. Nëse ju do ta miratoni, ai do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë për skemën e sigurimeve dhe testimeve shëndetësore të futbollistëve.

Unë mendoj se ajo që i kemi borxh futbollit është akoma më shumë impenjim nga të gjithë ne për futbollin e vajzave. Numërojmë vetëm 180 vajza në SHRFT, një numër shumë inferior krahasuar me atë që duhet të jetë, sidomos në raport me djemtë. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë shumë për ta rritur këtë numër.

Pjesëmarrja e vajzave në futboll është shumë e rëndësishme, pasi edhe nëse ato nuk do të bëhen futbolliste profesioniste, do të bëhen nëna dhe do të shtojnë komunitetin tonë, atë që është qëllimi ynë kryesor”, – tha Presidenti Duka në fjalën e tij përshëndetëse.



Lexoni të gjitha në Bota Sot