Joe Cole: Ka një siguri të frikshme

- Bota Sot

Joe Cole: Ka një siguri të frikshme

18 shtatori 2022 është një ditë e rëndësishme për futbollin anglez pasi Ethan Chidiebere Nwaneri u bë debutuesi më i ri në historinë e Premier League, në moshën 15 vjeç e 181 ditë.

Sot, më shumë se dy vjet më vonë, talenti i Arsenalit nuk është zhdukur nga radarët, por ngadalë po lulëzon:

“Unë jam përgjegjës për ndërtimin e karrierës së tij. Duhet ta bëjmë hap pas hapi”, tha Arteta disa javë më parë.

Por fati po i shpejton hapat për lojtarin e lindur në 2007-ën.

Seria e gjatë e dëmtimeve që kanë goditur repartin e sulmit të Topçinjve (Gabriel Jesus, Martinelli, Havertz dhe Saka) e kanë lejuar atë të gjejë shumë hapësirë ​​në javët e fundit.

Ai shënoi golin e fitores ndaj Gironas (1-2), mbylli ‘manitën’ ndaj Cityt (5-1) dhe asistoi për Mikel Merino në golin që hapi rezultatin ndaj Leicesterit (0-2).

Ndeshja e tij ndaj “Dhelprave” ishte emblematike.

Numri 53 ishte lojtari i Arsenalit që realizoi më shumë goditje në total (4) dhe në portë (2); ai që krijoi më shumë mundësi për të shënuar (2), që realizoi më shumë driblime (8) dhe tentoi më shumë gjuajtje (7), që bëri më shumë krosime (10), që fitoi më shumë duele (13 nga 16)… dhe i treti që rikuperoi më shumë topa (4).

Një paraqitje e bujshme, e cila e shtyu Joe Cole të bënte një krahasim mjaft të guximshëm:

“Ato prekje të vogla brenda dhe jashtë zonës… Nuk dua t’i them për të mos e vënë nën presion, por janë si të Messit. Ai luan me aq besim, sa është e mrekullueshme të shikosh”.

Micah Richards ishte dakord: “Është verbuese, mënyra se si ai lëviz, vetëbesimi i tij, këmba e majtë… Çfarë lojtari! Ai ishte më i miri kundër Leicesterit. E vetmja gjë që i mungonte ishte një gol.

“Unë do ta vendosja atë në vijën e parë, në çdo pozicion. Ai është një talent i madh, vetëm shpresoj që të mos dëmtohet dhe të qëndrojë i fokusuar”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot