“Vështirë pa të”: BE-ja shpreson në aktivizimin e udhëheqjes gjermane pas zgjedhjeve

- Bota Sot

“Vështirë pa të”: BE-ja shpreson në aktivizimin e udhëheqjes gjermane pas zgjedhjeve

Gjermanët do t’iu drejtohen kutive të votimit të dielën, në procesin zgjedhor që mezi është pritur nga Brukseli, pasi shumë zyrtarë shpresojnë që Berlini do të kthehet shpejt në rolin e tij kyç në politikën e Bashkimit Evropian, teksa blloku evropian përballet me një sërë krizash.

Veçse në hall me shkallën e rritjes ekonomike dhe rritjen e konkurrencës, BE-ja është goditur nga kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për luftë tregtare, apo nga injorimi i liderëve evropianë në tentimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Ndonjëherë frikësohemi nga udhëheqja gjermane. Mirëpo, është e vështirë të jetojmë pa të”, ka thënë një diplomat evropian për agjencinë e lajmeve AFP.

Paqartësitë në Gjermani kanë qenë vetëm vazhdimësi e trazirave politike në Francë, ku presidenti Emmanuel Macron ka emëruar në dhjetor kryeministrin e katërt brenda një viti.

Makina franko-gjermane, që konsiderohet më meritorja për përparimin e BE-së, “nuk ka mundur të punojë” dhe të marrë “vendime të mëdha” në një periudhë “kur është më e domosdoshme sesa kurrë më parë”, ka thënë Yann Wernert, analist në Institutin Jacques Delors.

“Nuk jemi duke parë shumë përkushtim gjerman në legjislaturën aktuale të BE-së”, ka thënë një diplomat tjetër.

Vakumi duket se është mbushur nga të tjerët.

Kryeministri polak, Donald Tusk, vendi i të cilit është në krye të Presidencës së BE-së, i ka bërë thirrje Brukselit që të bëjë më shumë për t’u përballur me Rusinë, ndërsa kryeministrja italiane, Giorgia Meloni është marrë me çështje të migrimit.

Megjithatë, analistët vlerësojnë se mungesa ka qenë e dukshme.

“A mundet të veprojë BE-ja pa Gjermaninë dhe Francën? Në ndonjë rast urgjence do të ishte e mundur, por është më mirë të veprojë me Francën dhe Gjermaninë”, ka thënë një diplomat tjetër.

Gjermania do t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt, pas prishjes së koalicionit trepartiak të kancelarit, Olaf Scholz.

Aleanca konservatore CDU/CSU, me kandidatin Friedrich Merz Merz, është duke udhëhequr në sondazhe./rel



Lexoni të gjitha në Bota Sot