Virgil van Dijk ka qenë i qartë sa herë që është pyetur për të ardhmen e tij.
Kapiteni i Liverpool-it, i cili ka kontratë me ‘The Reds’ deri më 30 qershor 2025, nuk dëshiron të spekulojë rreth së ardhmes, por thjesht të fokusohet në ndeshjet e radhës.
“E vetmja gjë në të cilën jam i fokusuar është ndeshja e radhës. Për sa i përket asaj që do të presë e ardhmja, tani për tani, nuk e kam idenë. Kështu që kushdo që thotë se e di, e ka krejtësisht gabim. Por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
“Duhet të qëndrojmë të qetë, të punojmë shumë, të përpiqemi të tregojmë cilësinë tonë, të mbrohemi me gjithçka që kemi si ekip dhe të qëndrojmë të fokusuar te vetja. Mendoj se kjo është gjëja kryesore”, deklaroi mbrojtësi holandez.
Pavarësisht kësaj, spekulimet rreth të ardhmes së tij vazhdojnë.
Së fundmi, në media është përmendur edhe interesimi i Real Madridit, por sipas “Marca”, klubi spanjoll nuk e konsideron të nevojshëm një transferim të tillë.
Drejtuesit e “Los Blancos” besojnë se shpërthimi i talentit Raul Asencio e ka bërë të panevojshëm një investim të madh për një mbrojtës veteran si Van Dijk. Për më tepër, Real Madrid nuk dëshiron të hyjë në një garë me klubet tjera të mëdha evropiane për holandezin.
Për momentin, e ardhmja e Van Dijk mbetet e paqartë, ndërsa ai vazhdon të jetë një figurë kyçe për Liverpool-in në rrugën e tij drejt objektivave sezonalë.