Henry paralajmëron Yamalin

- Bota Sot

Henry paralajmëron Yamalin

Thierry Henry la një shije të mrekullueshme gjatë kohës së tij te Barcelona. Legjenda e Arsenalit mbërriti te katalanasit në fund të karrierës së tij, me synimin për të fituar një Champions League, pas finales së humbur me “Gunners”. Me Pep Guardiolën, ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi tripletën, duke ndarë dhomën e zhveshjes me një brez të ri të etur për suksese. Messi, Piqué, Busquets dhe të tjerë e çuan atë ekip drejt lavdisë.

Në atë kohë, një tjetër talent po shfaqej nga akademia e klubit katalanas, Bojan Krkic. Ai erdhi në ekipin e parë si golashënuesi më i mirë në historinë e “La Masia”, duke pasur pritshmëri të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, përballja me këtë presion nuk ishte e lehtë. Bojan u përball me ankth dhe depresion, duke mos qenë në gjendje të menaxhonte botën e futbollit në atë nivel. Henry, i cili e kishte marrë nën mbrojtje në atë kohë, ka kujtuar rastin e tij për të ulur pritshmëritë ndaj Lamine Yamal.

“E kam parë këtë situatë më parë. Jo unë personalisht, por dikë tjetër, Bojan Krkic. Nuk e di nëse e mbani mend, por ju ftoj ta shihni dokumentarin e tij. Ai tregon se çfarë mund të ndodhë kur je i ri dhe gjithçka evoluon shumë shpejt. Bojan u përball me ankth dhe nuk donte më të ishte në qendër të vëmendjes. Kjo është diçka që njerëzit shpesh nuk e kuptojnë. Ata shohin vetëm lojtarin në fushë dhe harrojnë se është ende një fëmijë që nga anonimiteti kalon papritur në një fenomen botëror”, – theksoi francezi.

Në fund, Henry nënvizoi se çfarë do të thotë të jesh një yll në moshë shumë të re: “Dua vetëm ta përgëzoj Bojan, sepse të folurit hapur në dokumentar për gjithçka që ka kaluar, për presionin e madh, është diçka e jashtëzakonshme. Ai madje refuzoi të shkonte në ‘Euro 2008’ me Spanjën, kompeticion të cilin iberikët e fituan për herë të parë. Shikoni dokumentarin e tij, është mënyra më e mirë për të kuptuar se çfarë do të thotë të bëhesh një yll që në fëmijëri”.

Kjo deklaratë vjen si një paralajmërim për Lamine Yamal, i cili është vetëm 17 vjeç dhe tashmë po konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit europian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot