Kosova nikoqire e mbledhjes së Komitetit “HatTrick” të UEFA-s

- Bota Sot

Kosova nikoqire e mbledhjes së Komitetit “HatTrick” të UEFA-s

Kosova do të jetë nikoqire e mbledhjes së Komitetit “HatTrick” të UEFA-s më 13 mars, një ngjarje shumë e rëndësishme për futbollin në nivel ndërkombëtar.

Komiteti “HatTrick” është një nga organet më të rëndësishme të UEFA-s, i cili ofron mbështetje për projekte të shteteve anëtare me qëllim përmirësimin e standardeve të futbollit, rritjen e mundësive për zhvillimin e lojës në të gjitha nivelet, duke nisur nga futbolli amator deri te ai profesional, si dhe infrastruktura.

Komiteti “HatTrick” drejtohet nga nënkryetari i UEFA-s, suedezi Karl Eric Nilsson, ndërsa nënkryetar i komitetit është Armand Duka, njëherësh zëvendëspresident i parë i UEFA-s.

Ata do të udhëheqin këtë mbledhje të rëndësishme, në të cilën do të diskutohet dhe vendoset për avancimin e futbollit nëpërmjet mbështetjes financiare dhe projekteve të tjera zhvillimore.

Kjo ngjarje e nivelit të lartë vendimmarrës do të grumbullojë në Kosovë të gjithë anëtarët e Komitetit “Hat Trick”, si dhe figura të tjera të njohura, presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të federatave më të mëdha të futbollit botëror, përfshirë ato të Anglisë, Gjermanisë, Portugalisë, Francës, Italisë, Norvegjisë, Polonisë, Belgjikës dhe shumë shteteve të tjera.



Lexoni të gjitha në Bota Sot