Sulmuesi kuqezi shqetëson fort Kombëtaren

- Bota Sot

Sulmuesi kuqezi shqetëson fort Kombëtaren

E paska shtyrë me vështirësi deri tani. Mirlind Daku vërtet vazhdon të shkëlqejë e të habisë në Premier Ligën e Rusisë, por gjithsesi nuk është në 100 për qind.

Sulmuesi I kombëtares dhe heroi I Rubinit ka shqetësime me muskujt e barkut, edhe pse ndryshe nga Mario Mitaj, ka dalë rregullisht në fushë.

Shumë shpejt ai duhet të vendosë për një operacion, pra do të duhet të humbasë disa ndeshje, por besohet se kjo do të ndodhë pas ndeshjeve të kombëtares.

Shqipëria luan në 21 mars në “Uembli” të Londrës ndaj Anglisë dhe në 24 pret Andorrën në Tiranë.

Ndërkaq, Daku vendosi një rekord për Rubinin pas dy golave ndaj Spartakut të Moskës, në fitoren 2-1.

Ai u bë I pari lojtar I kësaj skuadre në të gjithë historinë e saj në elitën ruse që shënon të paktën 10 rrjeta në dy sezone radhazi, ndërsa ka 6 ndeshje radhazi që jep kontribute për gol, ose shënon ose krijon.

Televizioni TV Maç, që transmeton ndeshjet, ka një artikull me foton e Dakut duke festuar, dhe me titullin: Rubin I dha fund serisë prej 7 fitoresh radhazi të Spartakut në kampionat, falë dygolëshit të Dakut!

Gjithsesi, përjashtimi I tij me të kuq do të shqyrtohet nga Komisioni I Disiplinës në Federatën Ruse të Futbollit në 13 mars, dhe nuk dihet se çfarë dënimi mund të marrë sulmuesi kuqezi.

Kjo, edhe pse shumë analistë futbolli, deri edhe ish-lojtarë apo ish-drejtues të Spartakut deklaruan pas ndeshjes se shqiptari nuk e meritoi të verdhën e dytë që solli edhe përjashtimin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot