Allegri te Milani me “bekimin” e Capellos

- Bota Sot

Allegri te Milani me “bekimin” e Capellos

Milani po mendon për të ardhmen dhe duket se ajo nuk do ta përfshijë Sergio Conceicao.

Përveç ndonjë surprize të madhe, trajneri portugez do të largohet në fund të sezonit, ndërsa tashmë po qarkullojnë emrat e mundshëm për ta zëvendësuar.

Kandidati kryesor është Massimiliano Allegri.

Për këtë çështje, Fabio Capello dha mendimin e tij në “Gazzetta dello Sport”. Ai foli mbi mundësinë që Allegri të rikthehet te kuqezinjtë: “Si do ta shihja atë dhe Paratici sërish bashkë?

Mirë, sepse kanë punuar tashmë së bashku. Secili e njeh mirë tjetrin, me të mirat dhe të metat e veta. Dyshja e tyre funksionoi për mrekulli te Juventusi. Por, para se të flasim për Milanin, duhet kuptuar diçka”.

Capello theksoi disa paqartësi në organizimin e klubit kuqezi: “Kush vendos për çfarë? Për shembull, këtë sezon nuk e kam kuptuar plotësisht rolin e Ibrahimovic. Çfarë do të ndodhë tani? Lexoj mbi dëshirën për të shtuar një drejtor sportiv. Mirë, por me çfarë detyrash dhe kompetencash?

Unë kam qenë gjithmonë i mësuar me një strukturë të qartë: një president që cakton buxhetin, një administrator që mbikëqyr financat dhe vendos linjën e punës, një drejtor sportiv që bashkë me trajnerin merret me aspektin teknik. Për momentin, te Milani më duket gjithçka e mjegullt”.

Sa i përket zgjedhjes së Allegrit, Capello u shpreh i bindur:

“Nëse ideja, me të cilën jam dakord, është të krijohet një Milan më italian, atëherë kjo është zgjedhja e duhur. Nga trajnerët italianë të lirë në treg, Max është më i miri.

Është një fitues dhe e njeh mirë Milanellon, si edhe skuadrën, pasi e ka përballur deri një vit më parë si kundërshtar. Ai do të dinte menjëherë ku të ndërhynte”.

Duke iu përgjigjur kritikave se loja e Allegrit është e vjetëruar, Capello u tregua i prerë: “Max nuk mund të vihet në diskutim.

Nuk është trajner spektakolar, por rezultatet flasin për të. Dhe kush mendon se futbolli i tij është i tejkaluar, thjesht nuk kupton shumë nga ky sport”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot