Rasti i njashëm eliminoi River Plates

- Bota Sot

Rasti i njashëm eliminoi River Plates

Pas euro-derbit madrilen dhe penalltisë së anuluar të Julián Álvarez, një nga frazat më të përsëritura mes tifozëve të Atlético Madridit ishte:

“Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë”.

Sidoqoftë arkivat, që rrjetet sociale nuk vonohen t’i risjellin në vëmendje, kanë nxjerrë një rast pothuajse identik. Më konkretisht, një penallti e River Plate, që rezultoi fatale për ta.

Ngjarja ndodhi në “Copa Libertadores” 2023. Një penallti e goditur nga Solari me të famshmen “dy prekje”, që e eliminoi River-in nga çerekfinalet e kompeticionit më të madh në Amerikën e Jugut.

Futbollisti i River-it rrëshqiti në momentin e goditjes dhe topi u prek dy herë, njësoj si rasti i Julián Álvarez në “Metropolitano”. Ashtu si në atë rast, goli u anulua.

Në fakt, as penalltia e Álvarez, as ajo e Solari nuk janë rastet e vetme të kësaj natyre. “Besoj se diçka e tillë i ka ndodhur edhe Griezmann…”, – tha Luka Modrić pas ndeshjes. Dhe kroati nuk gabonte.

Përpara Griezmann, Lionel Messi kishte praktikuar penalltinë me ‘dy prekje’ në finalen e Kupës së Botës “Katar 2022”. Për ironi të fatit, arbitri i asaj finaleje ishte pikërisht Szymon Marciniak, i njëjti që anuloi penalltinë e Álvarez në euro-derbin madrilen.

Në atë rast, edhe pse prekja e dytë ishte shumë më e dukshme se ajo e Álvarez, goli u konsiderua i vlefshëm. As arbitri dhe as VAR nuk e konstatuan se topi preku këmbën mbështetëse të Messit, pas goditjes.

Në vitin 2017, pas një ndërhyrjeje të Raphael Varane ndaj Fernando Torres në derbin e Champions League, Antoine Griezmann ekzekutoi një penallti për të ngushtuar diferencën ndaj Real Madridit.

Gjuajtja përfundoi në rrjetë, por nuk duhej të ishte pranuar. Francezi e preku topin dy herë, por në atë kohë, ende pa sistemin VAR, episodi nuk u rishikua dhe Atlético Madridi shënoi një gol që duhej të ishte i pavlefshëm.

Një episod i ngjashëm ndodhi në vitin 1999, kur Platense pësoi një gol të tillë nga Martín Palermo. Sulmuesi argjentinas shënoi një penallti duke e prekur topin dy herë, por ashtu si në rastin e Griezmann, goli u pranua.

Pra, historia e ‘dy prekjeve’ te penalltia nuk është e re në futboll, por rasti i Álvarez, ndryshe nga disa të tjerë në të kaluarën, nuk kaloi pa u ndëshkuar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot