Federata e Futbollit të Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes së ish-futbollistes Arbnora Basha, e cila vdiq në aksidentin tragjik në Ranillug.
Arbnora për shumë vjet ishte pjesë e KF Intelektualet nga Gjilani dhe me krenari e përfaqësoi Kosovën në aktivitetet ndërkombëtare me fanellen e Kombëtares U17.
“Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të më dashurës suaj, Arbnora Basha, një studente e dalluar dhe e përkushtuar, e cila la gjurmë të pashlyeshme edhe në futbollin kosovar, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shkroi i pari i FFK-së, Agim Ademi.
“Me pasionin dhe angazhimin e saj në futboll, ajo shërbeu si shembull frymëzimi që edhe shumë vajza tjera të ndjekin rrugën e sportit, andaj ikja e saj e hershme nga kjo botë ka trishtuar të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë. Në këto momente të rënda për Ju, jemi pranë jush me zemër e lutje, që ta përballoni këtë dhimbje të madhe. Po ashtu, ngushëllime të sinqerta i shprehim edhe familjes së Antiana Thaqit, që po ashtu humbi jetën në këtë aksident tragjik”, shkruhej tutje në telegramin e ngushëllimit.