Atletico Madridi përplaset me Barcelonën

- Bota Sot

Atletico Madridi përplaset me Barcelonën

Xhiroja e 28-të e elitës së futbollit spanjoll sjellë sonte ndeshjen e zjarrtë mes dy skuadrave që janë afër njëra-tjetrës në kreun e tabelës.

Atletico Madridi i Diego Simeones do t’i bëjë konak Barcelonës në “Metropolitano”, me takimin që nis nga ora 21:00.

Barcelona zë pozitën e dytë me 57 pikë, një më shumë se Atletico që është një pozitën më poshtë. Mirëpo, blaugranasit kanë edhe një ndeshje më pak. Lider i tabelës së La Ligas është Real Madridi, i cili ka 60 pikë dhe dy ndeshje më shumë – momentalisht – sesa Barcelona.

Andaj, presioni do të jetë i madh, në një ndeshje të madhe si kjo.

Barcelona në vitin 2025 ka gjashtë fitore në La Liga dhe një barazim, duke mos u mposhtur fare.

Në anën tjetër, Atletico ka katër fitore, dy humbje e një barazim gjatë këtij viti në elitë.

MUNGESAT:

Në ndeshjen e sontme në kryeqytetin spanjoll, Barcelona do të jetë pa Marc Bernal e Marc-Andre ter Stegen me lëndime të rënda, derisa po ashtu do të mungojë edhe Andreas Christensen.

Te madrilenët bardhekuq, Clement Lenglet është në dyshim, ndërsa Cezar Azpilicueta është jashtë shkaku i lëndimit. Angel Correa do të mungojë shkaku i kartonit të kuq, i marrë ndaj Getafes javën e kaluar.

FORMACIONET E MUNDSHME:

Sipas “SofaScore”, Diego Simeone për sonte do të vendosë një formacion 4-4-2.

Jan Oblak do të jetë në portë si gjithnjë, derisa në mbrojtje mund të ketë disa ndryshime, me rikthimin e Robin Le Normand nga lëndimi.

Oblak; Llorente, Le Normand, Lenglet, Galan; Simeone, De Paul, Barrios, Gallagher; Alvarez, Griezmann.

Në anën tjetër, Flick thuhet se do të luajë me formacionin 4-2-3-1.

Szczesny do të mbajë vendin e tij në portë, derisa në mesfushë pritet të startojë De Jong e Pedri.

Szczesny; Kounde, Cubarsi, Martinez, Balde; De Jong, Pedri; Yamal, Olmo, Raphinha; Leëandoëski.

NDESHJET KOKË MË KOKË:

Gjatë këtij edicioni Atletico Madrid e Barcelona janë përballur dy herë, një herë në La Liga e një herë në Kupën e Mbretit, me të dyja herët që ishin luajtur në “Estadio Lluis de Companys” në Barcelonë.

Ndeshjen e parë të La Ligas, Atletico e fitoi 2-1, me një rikthim të çmendur, me golin e shënuar në minutat e fundit nga ana e Alexander Sorloth. I njëjti ia siguronte barazimin prej 4-4 me golin e tij në sekondat e fundit në Kupën e Mbretit.

Gjatë historisë janë zhvilluar 244 ndeshje mes këtyre dy klubeve, me Barcelonën që prin bindshëm me fitore.

Katalunasit kanë 110 fitore të arritura në historinë e kësaj përballjeje, teksa Atleti ka 77 fitore.

57 ndeshje të tjera janë mbyllur me barazim.

Barcelona ka shënuar 460 gola në histori ndaj Atleticos, derisa ky i fundit ka shënuar 354 të tillë.

Lionel Messi është golashënuesi më i mirë i kësaj përballje me 32 gola të shënuar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot