Marrëveshja historike Armeni-Azerbajxhan, “mundësi reale” për paqe

- Bota Sot

Marrëveshja historike Armeni-Azerbajxhan, “mundësi reale” për paqe

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik mbi tri dekada më parë, fqinjët rivalë në Kaukazin Jugor, Armenia dhe Azerbajxhani, kanë zhvilluar dy luftëra që kanë vrarë dhjetëra mijëra persona dhe kanë zhvendosur qindra mijëra të tjerë.

Tani, udhëheqësit e tyre duket se po përgatiten të nënshkruajnë një traktat për paqe që synon t’i japë fund armiqësive mbi rajonin e Azerbajxhanit, të banuar me armenë, Nagorno-Karabak, që Bakuja e rimori nga separatistët armenë në shtator të vitit 2023, pas një ofensive të shpejtë.

“Ky njoftim sinjalizon një mundësi reale për të finalizuar dhe nënshkruar traktatin dypalësh, që është pritur për një kohë të gjatë”, tha Richard Giragosian, kreu i Qendrës për Studime Rajonale, institut i pavarur në Jerevan.

Bakuja dhe Jerevani njoftuan javën e kaluar se kanë finalizuar tekstin e marrëveshjes historike të paqes, edhe pse ende mbetet e paqartë se kur udhëheqësit e dy shteteve do ta nënshkruajnë atë.

Marrëveshja po shihet si një arritje e madhe për t’i dhënë fund konfliktit rraskapitës në rajonin ku Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian, Turqia dhe Irani po garojnë për ndikim.

Sipas marrëveshjes, dy fqinjët do të vendosin raporte formale, me Jerevanin që do të njohë sovranitetin e Azerbajxhanit mbi Karabak, pasi ka rezistuar që të bëjë një gjë të tillë që nga viti 1991.

Dy palët thuhet se kanë rënë dakord për çështjen e ndjeshme të heqjes së një reference nga Kushtetuta e Armenisë për deklaratën e saj të pavarësisë më 1991, që mbështet pretendimet territoriale të Jerevanit mbi rajonin e Karabakut.

Por, ndryshimi i Kushtetutës armene do të kërkojë mbajtjen e një referendumi kombëtar që potencialisht mund të vonojë përmbylljen e marrëveshjes.

Giragosian argumentoi se në mungesë të ndonjë mospajtimi të minutave të fundit, marrëveshja “ofron një mundësi për të kapërcyer ngërçin diplomatik mes Armenisë dhe Azerbajxhanit”.

Ai tha se ndryshimet kushtetuese nuk mund të zbatohen para qershorit të vitit të ardhshëm.

Disa analistë e kanë parë çështjen si një pengesë të mundshme. Analisti politik azerbajxhanas, Rauf Mirgadirov, tha se ky afat kohor ka gjasa të pengojë që marrëveshja e paqes të materializohet shpejt.

“Nëse dokumenti nuk garanton njohjen e ndërsjellë të integritetit territorial, atëherë nuk është një marrëveshje e vërtetë e paqes, pavarësisht se si quhet”, tha Mirgadirov.

Ai tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes “kërkon njohjen pa kushte të integritetit territorial të njëri-tjetrit”.

Lajmi për marrëveshjen është mirëpritur me optimizëm nga faktori ndërkombëtar.

Uashingtoni lavdëroi Bakunë dhe Jerevanin për përmbylljen e bisedimeve për “një traktat historik të paqes”.

“Kjo është një mundësi për të dyja shtetet që të hapin një kapitull të ri në konfliktin e gjatë me dekada, në linjë me vizionin e presidentit [Donald] Trump për një botë më paqësore”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përmes një deklarate më 14 mars.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ky zhvillim “duhet t’i hapë rrugën një paqeje të qëndrueshme në Kaukazin Jugor”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka quajtur marrëveshjen “një hap vendimtar drejt normalizimit të plotë të raporteve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe hapjes së rajonit”.

Në Jerevan dhe Baku, banorët kanë shprehur ndjenja të përziera lidhur me marrëveshjen, duke shprehur mosbesim dhe skepticizëm që mjegullojnë shpresat e tyre për paqe dhe fillim të ri.

“Nuk do të ndryshojë asgjë”, tha një burrë në Jerevan, i cili foli për Shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë, por nuk deshi që të identifikohej. “Cila marrëveshje ka qenë ndonjëherë më shumë sesa thjesht fjalë në letër? Pse kjo do të jetë ndryshe?”.

“Nëse aty ka paqe, atëherë kjo është veçse e mirë për njerëzit”, tha një grua tjetër në Jerevan, e cila po ashtu kërkoi që të mos identifikohej. “Nuk do të ketë luftë. Do të jetë më mirë”.

Një grua e moshuar në Baku tha se do të ishte shumë e lumtur nëse marrëveshje prodhon paqe të qëndrueshme.

“Le të mos kenë frikë nënat, le të mos kenë frikë fëmijët”, tha ajo për Shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë.

Ndërkaq, një burrë në Baku tha se azerbajxhanasit kanë pak besim në zotimin e Armenisë për një marrëveshje të paqes.

“Shpresojmë për më të mirën, por është shumë e vështirë”, tha ai./rel



Lexoni të gjitha në Bota Sot