Spalletti në konferencë: Është e vërtetë, ja përse

- Bota Sot

Spalletti në konferencë: Është e vërtetë, ja përse

"Itali-Gjermani ka një magji të veçantë? Është e vërtetë. Kjo prej të kaluarës, sepse janë dy kombëtare shumë të forta, gjithmonë kanë qenë të tilla, edhe për llojin e rezultateve që kanë prodhuar. Ato i kanë dhënë forcë hijeshisë së kësaj ndeshjeje".

Kështu u shpreh Luciano Spalletti, trajneri i Italisë, në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të “Nations League”, që do të luhet sonte në "San Siro" kundër Gjermanisë. "Jam i bindur se do të jetë një ndeshje e bukur, që të dyja skuadrat do ta luajnë për ta fituar, hapur.

Është e qartë që, nëse nuk do të jemi të aftë të menaxhojmë disa faza të lojës, do të jetë shumë e vështirë të dalim me një rezultat pozitiv. Prandaj, do të luajmë lojën tonë, ata do të tregojnë cilësinë që kanë. Në disa momente do të jemi të detyruar të zgjedhim si të përballemi me këtë cilësi që do të shfaqin. Dhe pastaj, ne duam të fitojmë, do të shohim".

Te Gjermania mungojnë Kai Havertz dhe Florian Wirtz, lojtarë kyç. Çfarë pret pa ta: "Një kombëtare si Gjermania nuk ka mungesa. Kush mungon? Nëse nuk luan një anësor, luan një tjetër, ata kanë 4-5 lojtarë të nivelit më të lartë. Të gjithë janë lojtarë të shpejtë, që dinë ta kalojnë kundërshtarin dhe të fitojnë duelet një kundër një.

Në mesfushë kanë një bollëk lojtarësh të fortë. Nuk u mungon askush, ashtu siç nuk na mungon askush edhe ne. Gjermania është një ekip plot cilësi dhe do të imponojë lojën e saj, pavarësisht mungesës së disa elementeve që kanë luajtur më shpesh".

Italia nuk fiton ndaj Gjermanisë prej 13 vitesh. A duhet t’u ktheni diçka italianëve të Gjermanisë? Ja si përgjigjet Spalletti: "Është e vërtetë. Kemi bërë edhe 4 barazime në 6 ndeshjet e fundit, por kemi detyrën të jemi ajo ëndërr që të gjithë italianët kanë kur shohin kombëtaren të luajë.

Domethënë, të fitojmë ndeshjet dhe të jemi një kombëtare e fortë. Kjo është detyra jonë. Duhet të mbajmë me vete historinë tonë, me të mirat dhe të këqijat e saj. E dimë mirë çfarë duan italianët kur shohin ekipin e tyre kombëtar të luajë futboll".



Lexoni të gjitha në Bota Sot