Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri i Italisë, Arrigo Sacchi, komentoi humbjen e axurrëve ndaj Gjermanisë në çerekfinalet e “Nations League”: “Nuk kemi dalë të shkatërruar nga kjo sfidë, por ka ende shumë punë për të bërë.
Mekanizmat nuk funksionojnë siç duhet dhe kjo ndodh sepse lojtarët e Spallettit nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u stërvitur së bashku, për t’u njohur dhe mësuar lëvizjet bazë të lojës që kërkon trajneri”.
Sacchi e pranoi se rezultati ishte i drejtë, pasi Gjermania u shfaq më e fortë. Për ndeshjen e kthimit në Dortmund, të dielën, ai u shpreh skeptik për ndonjë përmbysje:
“Për të kaluar në gjysmëfinale, duhet një mrekulli e madhe. Nuk e di nëse Italia është gati për këtë, dhe në fund të fundit nuk është as e drejtë ta kërkojmë apo ta presim me çdo kusht.
E rëndësishme është që tifozët të jenë afër kësaj kombëtareje dhe ta mbështesin në procesin e rritjes, pa krijuar polemika të kota kur humbet dhe pa e ngritur në qiell kur fiton”.
Sipas tij, ndryshimi i stilit të lojës kërkon kohë: “Italia ka qenë gjithmonë e bazuar te mbrojtja dhe kundërsulmi.
Tani po ndiqet një rrugë e re, më moderne, si pjesa tjetër e Europës. Sidoqoftë, ende kemi nevojë për kohë për ta përvetësuar këtë ide. Nuk ka sekrete: duhet ulur koka dhe punuar. Vetëm puna sjell rezultate”.
Sacchi kërkon durim dhe përkushtim nga ekipi dhe tifozët për të ndërtuar një Itali më konkurruese në të ardhmen.