Një tjetër emër premtues i futbollit shqiptar po spikat në arenën ndërkombëtare. Burak Alili, mesfushori 20-vjeçar me origjinë nga Shkupi, i lindur më 11 shkurt 2004 në Biel/Bienne të Zvicrës, ka vendosur t’i bashkohet kombëtares shqiptare U21, duke lënë përfaqësuesen e Zvicrës me të cilën ka luajtur më parë në moshat U15, U16 dhe U19.
Në miqësoren e fundit kundër Greqisë (0:0), Alili ishte titullar, së bashku me një tjetër talent shqiptar, Feta Fetain. Ai konsiderohet një lojtar cilësor me potencial për t’u zhvilluar edhe më tej.
Karriera e tij ka nisur te Neuchâtel Xamax, më pas është transferuar te Viktoria Pilsen B, ndërsa në vitin 2024 bëri hapin e radhës duke kaluar në Bundesligën e dytë austriake te SV Lafnitz.
Vendimi për të veshur fanellën kuqezi tregon përkushtimin dhe lidhjen e tij me rrënjët shqiptare. Me talentin dhe punën e tij, Alili shihet si një element i rëndësishëm për të ardhmen e kombëtares shqiptare.