Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuentes, ka thënë se ekipi i tij është i ri e ambicioz dhe nuk e ka ndërmend të ndalet.
Spanja e ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Nations League pas një fitore dramatike ndaj Holandës me penallti 5-4, pasi ndeshja në “Mestalla” ka përfunduar me rezultat të përgjithshëm 5-5. Tash "Furia e kuqe" do të përballet me Francën më 5 qershor në Stuttgart.
"Mendoj se kjo kombëtare është shumë e re, ka ende shumë për të arritur dhe gjëja më e rëndësishme është qëndrimi i lojtarëve. Ata janë të uritur, duan të vazhdojnë të garojnë dhe të fitojnë", ka thënë De la Fuente.
Duke iu referuar kritikëve që e kanë cilësuar Nations League si një kompeticion dytësor, ai ka kujtuar se në gjysmëfinale janë tre kampionë bote dhe një kampion evropian. "Mund të na mposhtin, por ne do të luftojmë", është shprehur tekniku spanjoll.
Gjysmëfinalja tjetër e turneut do të zhvillohet mes Gjermanisë dhe Portugalisë.