Kombëtarja U21 e Kosovës ka shënuar fitore në ndeshjen e dytë miqësore në kuadër të grumbullimit në Antalya të Turqisë.
Pas humbjes (1:2) kundër Turqisë, djelmoshat e drejtuar nga Afrim Tovërlani kanë triumfuar ndaj Moldavisë, në ndeshjen e zhvilluar në Belek, me rezultat 2:1.
Dardanët U21 e dominuan lojën plotësisht nga fillimi dhe arritën të kalojnë në epërsi qysh në minutën e 7-të, me golin e Medin Gashit. Edhe pse Kosova vazhdoi të kontrollojë lojën dhe pati disa raste të tjera për të shënuar, goli i dytë nuk erdhi.
Ndërkohë, moldavët arritën t’i barazojnë shifrat posa nisi pjesa e dytë.
Megjithatë, ky gol nuk i zmbrapsi djemtë dardanë, të cilët arritën që të rikthehen shpejtë dhe të shënojnë golin e fitores përmes zëvendësuesit Kevin Krasniqi, në minutën e 65-të. Përzgjedhësi Afrim Tovërlani e vlerësoi paraqitjen e ekipit të tij si shumë të mirë, derisa i përgëzoi djemtë për angazhimin dhe fitoren e realizuar.
“Një paraqitje mjaft e mirë dhe një angazhim maksimal, edhe pse në këtë grumbullim kemi pasur shumë ndryshime. Krejt mesfusha është e ndryshme prej grumbullimit të muajit nëntor.
Besoj se edhe me Turqinë kemi pasur paraqitje shumë të mirë, mirëpo ata janë shumë më të fortë se sa Moldavia. I përgëzoj djemtë për këtë angazhim dhe për këtë fitore, e cila sigurisht se do të na shërbejë që të kemi vazhdimësi më të mirë, por edhe djemtë do të fitojnë vetëbesim”, ka theksuar Tovërlani pas ndeshjes.