Topi i tregolëshit i shkon Vedat Muriqit

- Bota Sot

Topi i tregolëshit i shkon Vedat Muriqit

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi shkëlqeu në ndeshjen e së dielës ndaj Islandës.

Pirati dardan ishte më i miri në fushë, duke arritur të shënojë një tregolësh, në takimin e luajtur në kuadër të ndeshjes së kthimit për play-offin e Ligës B të Ligës së Kombeve.

Muriqi shënoi fillimisht në minutën e 36-të për të barazuar rezultatin, pasi paraprakisht kishte shënuar Islanda përmes Oscarsson.

Të dytin në ndeshje e shënoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, pas një asistimi nga Milot Rashica.

Të tretin, për të kompletuar tregolëshin për atë ndeshje e shënoi në minutën e 77-të.

Andaj, siç e do tradita në futboll, saherë që një lojtar shënon tregolësh, ai e merr në shtëpi topin e ndeshjes.

Kështu ndodhi edhe në rastin e Muriqit, i cili e ka pranuar këtë top, në të cilin janë nënshkrimet e të gjithë bashkëlojtarëve të tij dardanë.

Vedat Muriqi ka 31 gola të shënuar me fanellën e Kosovës në 60 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.



Lexoni të gjitha në Bota Sot