Presidenti i klubit të Apolonisë, Koço Kokëdhima është vënë nën hetim për incidentin e djeshëm kur hyri në fushë gjatë ndeshjes dhe shtyu arbitrin.
Ndaj tij, rëndon vepra penale “veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, kur Koço Kokëdhima, i shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë të klubit janë futur në fushë dhe kanë shtyrë e ofenduar arbitrin e ndeshjes, Dorjan Melataj.
Ndeshja është ndërprerë për rreth 30 minuta dhe sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit, duhej ndërprerë automatikisht, por për shkak të presioneve të shumta ndaj gjyqtarit, ky i fundit është detyruar ta rifillojë takimin.
Në fund Apolonia e ka fituar ndeshjen 1-0, ndërkohë që do të pritet vendimi i FSHF-së për të parë se cili do të jetë fati i këtij takimi.