Gjyqtarët e futbollit shpesh herë kthehen pa dashje në aktorët kryesor të ndeshjeve, ndërsa komente rreth gjykimit të tyre kemi çdo javë.
Por sa fitojnë gjyqtarët për një ndeshje në Superligën e Kosovës, në Shqipëri dhe në ligat kryesore të Europës?
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) edhe për këtë sezon sikurse në të kaluarin ka publikuar tarifat se sa paguhen gjyqtarët për një ndeshje.
Gjyqtari kryesor në një ndeshje futbollit të Superligës së Kosovës merr 200 euro, ndërsa dy ndihmësit marrin nga 150 euro.
Gjyqtari i VAR merr 100 euro, ndërsa ai në AVAR merr 80 euro.
Delegati i ndeshjes paguhet 100 euro, aq sa gjyqtari i katërt.
Nëse hipotetikisht, një gjyqtar elitar, gjykon në 36 xhiro, do të fitonte 7200 euro, gjë që është shumë e rrallë të arrihet.
Deri nën vitin 2020, pagesa për një ndeshje e një gjyqtari në Superligën e Kosovës ishte 100 euro.
Sa fitojnë gjyqtarët në Shqipëri dhe Kroaci?
FSHF edhe pse nuk deklarohet sa paguhen gjyqtarët e futbollit në Shqipëri, mësohet se pagesa e një gjyqtari kryesor është 400 euro. Gjyqtarët e tjerë paguhen më pak.
Federata Kroate e Futbollit (HNS) rriti tarifat e gjyqtarëve përpara fillimit të këtij sezoni.
Gjyqtari kryesor merr 500 euro për ndeshje, ndërsa ndihmësi 280 euro për ndeshje, ndërsa gjyqtarët e VAR-it marrin një tarifë prej 140 euro. Delegatët fitojnë nga 200 euro.
Gjyqtarët kroatë nuk kanë tarifa fikse dhe mund të fitojnë maksimum prej 2500 euro në muaj nëse punësohen çdo fundjavë.
Sa fitojnë gjyqtarët në ligat kryesore?
Kur bëhet krahasimi i rajonit me elitën e futbollit evropian, atëherë diferenca është e madhe.
Në Premier League ka nivele pagash, ku ata me përvojë fitojnë rreth 300 mijë euro në vit.
Gjyqtarët e rinj paguhen 210 mijë euro në vit dhe kjo vetëm nga ndeshjet e Premier League.
Në Serie A janë tre kategori. Më të mirët fitojnë nga 150 deri në 200 mijë euro në vit paga dhe tarifa.
Kategoria e mesme e gjyqtarëve fiton nga 100 deri në 150 mijë euro në vit.
Gjyqtarët e rinj në Serie A fitojnë nga 70 deri në 100 mijë euro në vit.
Gjyqtarët spanjollë fitojnë edhe më shumë. Ata fitojnë mesatarisht 12.500 euro në muaj dhe me tarifa për ndeshjet evropiane, vendase dhe me kombëtare fitojnë deri në 250.000 euro në vit.
Kolegët e tyre nga Franca marrin një pagë fikse prej 7200 euro në muaj, 3375 euro për ndeshjet e brendshme, 5000 euro për ndeshjet evropiane dhe 10000 euro për ndeshjet me kombëtare