Conte: Mua më interesonte vetëm të fitoja titullin

- Bota Sot

Conte: Mua më interesonte vetëm të fitoja titullin

I intervistuar nga “L’Equipe”, trajneri i Napolit, Antonio Conte, foli për rolin e trajnerit dhe fitimin e titullit të Serie A pa humbje me Juventusin, duke bërë një krahasim me PSG-në, që këtë fundjavë mund të shpallet kampion i Francës:

“Të mos humbasësh asnjë ndeshje gjatë një sezoni është diçka e paimagjinueshme.

Nuk është kurrë diçka që e planifikon. Atë vit shkuam edhe në finalen e Kupës së Italisë, ku humbëm ndaj Napolit, e cila ishte humbja jonë e vetme gjatë gjithë sezonit”.

Rikthim tek ai kampionat historik: “Mua më interesonte vetëm një gjë: nga momenti që u gjetëm në krye të renditjes, të luftonim për titullin dhe ta shqetësonim sa më shumë Milanin. Kuqezinjtë ishin kampionët në fuqi dhe kishin një skuadër shumë më të fortë se e jona. Ishin favoritët e vërtetë; sepse në radhët e tyre luanin Ibrahimovic, Thiago Silva, Gattuso, Nesta, Robinho…

Fillimisht, objektivi ynë ishte të renditeshim mes tre më të mirëve. Pastaj, në fazën e fundit të sezonit, ishim menjëherë pas tyre (Juventusi ishte -4 pikë, pas javës së 29-të). Në atë moment, synimi u bë i qartë: të fitonim titullin. Nuk kishim shumë hapësirë për gabime, ishim jashtëzakonisht të motivuar. Për këtë arsye arritëm të mos humbnim asnjë ndeshje”.

Vështirësitë për PSG-në që të bëjë të njëjtën gjë: “PSG, ndryshe nga ne në atë kohë, luan edhe në Champions League. Kjo është një garë tjetër që të shteron energjitë. Pasi ta kenë siguruar titullin në Francë, logjikisht mendjet e lojtarëve do të përqendrohen në objektivat e tjerë.

Është e pashmangshme, sepse, në fund të fundit, për futbollistët më e rëndësishmja është të fitojnë tituj. Të mbetesh i pamposhtur është diçka e bukur, mbetet në histori, por mbi të gjitha rëndësi kanë trofetë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot