Elkann në tribuna, Del Piero i adhuruar

- Bota Sot

Elkann në tribuna, Del Piero i adhuruar

Juventusi i parë i Igor Tudor fitoi, çka është gjëja më e rëndësishme në këtë moment, por nuk mund të thuhet se i ekzaltoi tifozët. Pavarësisht disa “revolucioneve” të vogla në formacion, skuadra tregoi ende kufizime të dukshme, veçanërisht tek disa nga lojtarët e saj. Koopmeiners ishte më i dukshmi.

Sidoqoftë, edhe jashtë fushës, klubi bardhezi ka nevojë të bëjë hapa të mëdhenj përpara. “Mungon juventiniteti”, ka qenë kori që është dëgjuar nga më shumë se një front në javët e fundit.

Duke parë nag e ardhmja, është pikërisht kjo gjë, juventiniteti, që duhet të injektohet te “Zonja e Vjetër” pas presidencës së Andrea Agnelli.

Pjesëmarrja fizike e John Elkann në “Allianz Stadium”, pas ndryshimit të trajnerit, ka qenë sinjali i parë në këtë drejtim. Ka nevojë për prani më të madhe nga drejtuesit e klubit, sepse vetëm paratë ndihmojnë, por nuk mjaftojnë.

Ndoshta këtë e ka kuptuar edhe numri një i “Exor”, i cili ka trashëguar një rol kompleks nga kushëriri i tij, që tejkalon atë të thjesht pronarit të klubit më të madh të Italisë. Pikërisht për këtë arsye u afrua Tudor, një trajner plot juventinitet, teksa ditët e fundit janë shtuar zërat për angazhim më të madh të Giorgio Chiellini.

Ish-kapiteni është kthyer në Torino vetëm disa muaj më parë dhe ka një pozicion margjinal, por së shpejti, shumë shpejt, mund të fillojë të punojë ngushtë me pjesën sportive, e cila aktualisht përfaqësohet vetëm nga Cristiano Giuntoli.

Natyrisht, është edhe një tjetër emër që populli bardhezi do ta dëshironte ta shihte sërish, jo vetëm si opinionist televiziv; Alessandro Del Piero. Në ndeshjen kundër Genoa janë ngritur disa kore për “Pinturicchio”.

Ai dhe “Chiello” janë dy simbole të asaj ADN-je juventine që është shpallur dhe kërkuar kaq shumë këtë sezon, por deri tani ata janë mbajtur në margjina, nëse jo jashtë, çdo projekti. Ndoshta ka ardhur momenti që Elkann të merret edhe me strukturën drejtuese, duke bashkuar njerëz të sportit me menaxherë, ekspertë të kontabilitetit, dhe të krijojë kësisoji një grup që e di çfarë do të thotë të jesh Juventusi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot