Ish-mbrojtësi i majtë i Manchester United, Brandon Williams, mund të përballet me deri në dy vjet burg pasi ka pranuar akuzën për drejtim të rrezikshëm të automjetit.
Williams, 24 vjeç, u pa duke vozitur me një shpejtësi deri në 159 km/h në një Audi A3 pranë Handforth, Cheshire, më 20 gusht 2023, sipas Shërbimit të Prokurorisë, me informacion të transmetuar nga BBC News.
Ai u trajtua në spital për lëndime para se të dërgohej në qendrën e paraburgimit në Middlewich.
Futbollisti më vonë pranoi fajësinë për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe për vozitje pa sigurim të palës së tretë, për çka dënimi maksimal është dy vjet burgim.
“Dëshmitarët thanë se Williams vazhdimisht po rritte shpejtësinë dhe pastaj frenonte papritur, ishte e qartë që nuk kishte kontroll mbi automjetin,” tha Andrew Madden, prokuror i lartë i Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës.
“Mënyra e tij e vozitjes ishte e çrregullt dhe shpejtësia ishte tejet e lartë. Në fund, Williams e humbi kontrollin dhe u përplas.”
24-vjeçari do të dënohet më 9 maj në Gjykatën e Kurorës në Chester.
Në kohën e incidentit, Williams ishte ende nën kontratë me Manchester United, por ishte i huazuar te Ipswich Town, që luante në Championship. Ai që atëherë është liruar nga “Djajtë e Kuq” dhe tani është pa klub.
Mbrojtësi i majtë bëri debutimin e tij për United në vitin 2019 gjatë një ndeshjeje të Kupës EFL kundër Rochdale, përpara se të startonte në një ndeshje të Europa League kundër AZ Alkmaar pak më vonë.
Më 20 tetor 2019, ai bëri debutimin e tij në Premier League kundër Liverpool-it në Old Trafford.
24-vjeçari impresionoi trajnerin e atëhershëm të United, Ole Gunnar Solskjaer, gjatë një ndeshjeje në transfertë kundër Partizan Beogradit, ku ai u shpall Lojtari i Ndeshjes.
“Për mua, Brandon ishte lojtari më i mirë në fushë,” tha Solskjaer pas ndeshjes.
“Ai ka qenë fantastik në ndeshjet që ka luajtur. Djali nuk ka frikë nga asgjë, është i guximshëm si luan dhe na dha fitoren.”
“Brandon ka një qëndrim absolutisht të shkëlqyer,” shtoi ai. “Ky djalë do të bëhet një lojtar i madh, shumë i madh.”
Performancat e Williams gjatë sezonit 2019/20 i siguruan atij një kontratë katërvjeçare me United, që mendohet se vlente rreth 65,000 £ në javë, sipas Daily Mail.
Mbrojtësi i majtë u huazua te Norwich në sezonin 2021/22, përpara se t’i bashkohej Ipswich-it në huazim për sezonin 2023/24, ku bëri 17 paraqitje për klubin.