Mesfushori Altin Azemi debutoi në moshën 15-vjeçare në ekipin e kategorisë së dytë zvicerane duke u aktivizuar në minutën e 88-të.
Në minutën e 94-t Neuchatel Xamaxi fitoi goditje dënimi.
Përgjegjësinë për të gjuajtur e mori pikërisht 15-vjeçari shqiptar. Ai shënoi gol të bukur në fitoren 6-2 ndaj Schaffhausenit dhe për të shkruar histori në Challenge League e rrjedhimisht edhe në futbollin zviceran.
“Altin Azemi është tregimi i ndeshjes të së hënës. 15-vjeçari u zëvendësua në minutën e 88-të dhe bëri debutimin profesional. Lojtarit të Zvicrës U16 nuk i është dashur kohë për ngrohje. Vetëm gjashtë minuta pas aktivizimit, ai mori topin për goditjen e dënimit.
E dërgoi topin në rrjetë dhe festa ishte e zjarrtë. Pasi Azemi e hoqi fanellën e tij dhe e mbajti lart si Lionel Mesi, ai e mori kartonin e parë në debutim. Me 15 vjet, 11 muaj dhe 2 ditë, Azemi tani është golashënuesi më i ri në histori të Challenge League. Ai e kalon rekordin që e mbante Valon Duzhmani për gati 19 vjet. Duzhmani, tani 35-vjeçar shënoi për Kriensin në korrik të vitit 2006, kur i kishte 16 vjet, 5 muaj e 2 ditë”, shkruan mediumi zvicerane, “bluewin.ch”.
Azemi ka dy paraqitje për Zvicrën U15 dhe nëntë të tjera për Zvicrën U16. Për këtë të fundit ka realizuar dy gola. Në ligën e 17-vjeçarëve i ka katër gola në 13 paraqitje këtë edicion. Ka dy paraqitje edhe në ligën e 19-vjeçarëve në Zvicër.