Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, ka thënë se besimi i tij te performanca e skuadrës në Champions league mbetet i palëkundur, sidomos pas fitores ndaj Manchester City dhe eliminimit të Atletico Madrid në raundet e mëparshme.
Trajneri italian ka folur para sfidës së parë çerekfinale të kundër Arsenal, që luhet të martën në Londër.
“Përvoja që kemi në Champions është shumë e rëndësishme. Ajo na bën të paprekshëm nga frika dhe presioni i këtyre ndeshjeve”, është shprehur Ancelotti. “Nëse nuk do të besoja se mund të fitojmë tituj këtë sezon, do të kisha dhënë dorëheqje dhe do të shkoja me pushime”.
Real Madrid është nën presion pas një sezoni të luhatshëm, pavarësisht pritshmërive të larta që e kishin pasuar transferimin e kapitenit francez Kylian Mbappe. Humbja 2-1 ndaj Valencia të shtunën i ka lënë madrilenët në vend të dytë në La Liga, katër pikë pas Barcelonës. Por Ancelotti ka qenë i qartë në qasjen e tij.
“Nuk mund të mendojmë për kritikat kur kemi ndeshje çdo tre ditë. Ne analizojmë çdo ndeshje dhe përgatitemi për tjetrën. Ajo e nesërmja është shumë e rëndësishme, por është vetëm nëntëdhjetë minutëshi i parë, jo vendimtar, sepse do të kemi edhe një ndeshje në Bernabeu”, ka thënë ai. “Jemi këtu për të luftuar për gjithçka deri në fund. Nëse nuk funksionon, atëherë mendojmë për sezonin tjetër, por ende nuk jemi aty”.