Dy nigerianë në “radarin” e Juventusit

- Bota Sot

Dy nigerianë në “radarin” e Juventusit

Në shtëpinë bardhezi, vëmendja mbetet e përqendruar te merkatoja e verës, veçanërisht te gjetja e qendërsulmuesit të së ardhmes. Me largimin e pritshëm të Dusan Vlahovic nga “Continassa”, Juventusi po kërkon një zëvendësues të denjë dhe emri që kryeson listën është ai i Victor Osimhen.

Sulmuesi nigerian është profili ideal për drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”, por ka disa pengesa të rëndësishme për t’u kaluar: kërkesat e Napolit nuk zbresin nën 70 milionë euro, paga prej 10 milionë eurosh e Osimhen përbën një barrë të madhe për arkat e klubit. Për këtë arsye, drejtori sportiv Cristiano Giuntoli po shqyrton alternativa më të arritshme.

Një nga këto është Ademola Lookman.

Sipas “Tuttosport”, sulmuesi i Atalantës mund të largohet nga Bergamo, sidomos nëse skuadra e Gian Piero Gasperinit nuk arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, edhe kjo pistë nuk është aspak e lehtë. Atalanta nuk do të pranojë një shifër më të ulët se 60 milionë euro, për lojtarin në fjalë ka interesim edhe nga Napoli e disa klube të Premier League.

Pavarësisht kësaj, Lookman nuk është një qendërsulmues klasik dhe nuk do të zgjidhte përfundimisht boshllëkun që do të linte Vlahovic. Për këtë arsye, Juventusi po monitoron edhe pista të tjera, si ajo franceze që e çon te Jonathan David, i cili pritet të largohet nga Lille si lojtar i lirë në qershor, apo ajo gjermane që e çon te Benjamin Sesko. Sulmuesi i talentuar slloven ka një klauzolë prej 70 milionë eurosh dhe Leipzig nuk është i gatshëm të negociojë për më pak.

Në një merkato që pritet të jetë shumë dinamike, Juventusi i ka sytë nga dyshja nigeriane, por nuk i mbyll dyert as për alternativa të tjera, në kërkim të golashënuesit që do të udhëheqë repartin ofensiv në të ardhmen..



Lexoni të gjitha në Bota Sot