Arsenali favorit

- Bota Sot

Arsenali favorit

Pas ndeshjeve të para çerekfinale të Ligës së Kampionëve, “superkompjuteri” i famshëm i Opta ka përditësuar projeksionet e tij për ekipet që kanë më shumë gjasa ta fitojnë trofeun më të madh europian për klube. Llogaritjet, të bazuara në mijëra simulime, kanë sjellë një ndryshim të madh në renditje, me Arsenal që ngjitet në krye si skuadra favorite.

Pas fitores madhështore 3-0 kundër Real Madridit në Londër, topçinjtë e Mikel Artetës janë tani favoritët kryesorë për të fituar Champions League, me 27.8% mundësi sipas të dhënave të Opta. Para ndeshjes, Arsenal renditej në vendin e tretë me vetëm 15.6% shanse. Tani, me një avantazh të madh, ata kanë 95.7% gjasa për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Në anën tjetër, për Real Madridin – kampionët në fuqi të turneut – situata duket pothuajse e pamundur. Opta u jep vetëm 0.9% mundësi për ta fituar këtë edicion, një rënie drastike për klubin më të suksesshëm në historinë e kompeticionit.

Pas Arsenalit, Barcelona renditet e dyta në projeksionet e Opta. Pas fitores bindëse 4-0 ndaj Borussia Dortmundit, skuadra e Hans-Dieter Flick ka 25.9% gjasa për të ngritur trofeun. Pas tyre, në vendin e tretë ndodhet Paris Saint-Germain, që gjithashtu përmirësoi pozitat pas fitores 3-1 ndaj Aston Villas. Francezët kanë 91.5% shanse për të kaluar në gjysmëfinale dhe 21.9% për të fituar Champions League.

Në vendin e katërt vjen Interi i Simone Inzaghit.

Fitorja jashtë fushe në “Allianz Arena” ndaj Bayern Munich ka rritur besimin te zikaltrit, të cilët tani kanë 19.8% shanse për të fituar turneun.

Sipas të dhënave: Interi ka 82% mundësi për të kaluar në gjysmëfinale dhe 41.5% për të arritur në finalen e madhe të 31 majit.

Ndërkohë, situata për Bayern Munich është përkeqësuar ndjeshëm – shanset për një triumf të mundshëm në shtëpi në finale janë ulur në 3%. Superkompjuteri kishte projektuar Manchester City si favorit absolut për të fituar Champions League, ndaj dhe këto janë në vazhdën e parashikimeve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot