Cila është e përbashkëta e Interit të Inzaghit me atë të Mourinhos në vitin 2010?

- Bota Sot

Cila është e përbashkëta e Interit të Inzaghit me atë të Mourinhos në vitin 2010?

Simone Inzaghi dhe Interi i tij janë në garë për të fituar tre trofe këtë sezon, teksa mediat italiane kanë nisur ta krahasojnë këtë skuadër me ekipin që fitoi tripletën nën drejtimin e José Mourinhos.

Zikaltrit siguruan një fitore të madhe 2-1 ndaj Bayern Munich në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke marrë një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet më 16 prill në “San Siro”.

Skuadra zikaltër aktualisht kryeson kampionatin italian dhe janë gjithashtu ende në garë për Kupën e Italisë. Me këto rezultate, ata janë një nga klubet e rralla në Evropë që vijojnë të ëndërrojnë tripletën për sezonin 2024/25.

Sipas portalit Calciomercato.com, skuadra aktuale ka ringjallur identitetin evropian të klubit: “Me Inzaghin në stol, Interi ka rifituar një identitet të fortë europian, që bashkon ambientin, tifozët dhe lojtarët. Interi i Mourinhos dhe ai i Inzaghit janë të ndryshëm, por ndajnë të njëjtën bazë dhe dëshirën për të sfiduar rivalë që në letër duken më të fortë.”

Në vitin 2010, skuadra e Mourinhos kaloi Barcelonën e Guardiolës në gjysmëfinale dhe arriti finalen e madhe të Champions League, duke bërë histori. Edhe pse luajtën me 10 lojtarë për pjesën më të madhe të ndeshjes së kthimit në “Camp Nou”, Interi mbajti vetëm 27% të zotërimit të topit dhe gjithsesi ia doli të kalonte më tej.

Ndërkohë, në fitoren ndaj Bayernit, Interi pati 45% të zotërimit të topit kundrejt 55% të gjermanëve dhe regjistroi 4 goditje në portë kundrejt 7 të Bayernit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot