Skandali i basteve në Serie A

- Bota Sot

Skandali i basteve në Serie A

Skandali i basteve ilegale, që ka tronditur futbollin Italian, vazhdon të zhvillohet me detaje të reja, sipas një raportimi të fundit nga “Corriere della Sera”. Prokuroria e Milanos ka identifikuar 12 futbollistë të Serie A të përfshirë në aktivitetet e basteve të paligjshme, duke sekuestruar rreth 1.5 milionë euro dhe kërkuar pesë arreste shtëpiake.

Megjithëse asnjë nga futbollistët nuk ka qenë i përfshirë në trukim ndeshjesh futbolli, ata janë të dyshuar për bastvënie në sporte të tjera. Sipas hetuesve, motivi kryesor për vënien e basteve nuk ka qenë pasuria, por thjesht mbushja e kohës së lirë nga dhjetori i vitit 2021 deri në tetor 2023.

Pas sekuestrimit të telefonave të Sandro Tonali dhe Nicolò Fagioli në vitin 2023, është zbuluar një rrjet i gjerë ku futbollistët kanë investuar para në dy menaxherë të faqeve të basteve ilegale të internetit. Sipas hetuesve, këta menaxherë kanë marrë ndihmën e tre administratorëve të një argjendarie në Milano, e cila përdorej si “bankë” për të fshehur qarkullimin e parave të basteve.

Futbollistët, fillimisht, janë shpërblyer me kredit të gjerë nga organizatorët e basteve. Kur debiti u bë i rëndë, ata janë udhëzuar të paguajnë me bonifikime të gjurmueshme për orë të shtrenjta si Rolex, të cilat qëndronin sërish në argjendari, nën kontrollin e organizatorëve. Lojtarët merrnin vetëm një faturë të rregullt për pagesën e simuluar.

Futbollistët që janë përfshirë në këto aktivitete tani do të përballen me akuza për shkelje të ligjit, ku Tonali dhe Fagioli janë tashmë të hetuar për veprimet e tyre në bastet online dhe ndihmën e dhënë për hapjen e llogarive dhe shpërndarjen e parave për të tjerët. Për këtë, ata mund të përballen me burg deri në 3 muaj dhe gjobë deri në 500 euro.

Sipas hetimeve, Tonali dhe Fagioli janë të përfshirë si shpërndarës të këtyre faqeve, duke i reklamuar ato tek kolegët dhe marrë shpërblime (bonuse) në llogaritë e tyre. Hetimet janë ende në vazhdim, por kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje të madhe në futbollin italian.

Ja cilët janë futbollistët e përmendur nga “Corriere della Sera”:

Alessandro Florenzi – mbrojtës i Milanit, pjesë e Italisë kampione Europe më 2021

Nicolò Zaniolo – ish-lojtar i Romës, sot te Fiorentina

Mattia Perin – portier i Juventusit

Weston McKennie – mesfushori amerikan i Juventusit

Leandro Paredes – kampion bote me Argjentinën, sot lojtar i Romës

Ángel Di María – gjithashtu kampion bote me Argjentinën

Raoul Bellanova – mbrojtës i kombëtares dhe i Atalantës, me të kaluar tek Interi dhe Torino

Samuele Ricci – mesfushor i Torinos, në atë kohë tek Empoli

Cristian Buonaiuto – sulmues i Padova, në atë kohë te Cremonese

Matteo Cancellieri – sot te Parma, atëherë mes Lazios dhe Empolit

Junior Firpo – mbrojtësi domenikan i Leeds United

Matteo Gigante – tenist italian në ngjitje



Lexoni të gjitha në Bota Sot