Harry Kane ka deklaruar së fundmi për mediat angleze se ka ndërmend të qëndrojë te Bayern Mynih edhe sezonin e ardhshëm.
Në fund të fundit, sulmuesi i kombëtares angleze ka një kontratë të vlefshme deri në qershor 2027 dhe nuk ka asnjë qëllim ta prishë, të paktën për momentin. Një vendim që duket se po ndikon në planet e merkatos së skuadrës bavareze.
Sipas asaj që raporton “Bild”, njoftimi i Kane ka ndikuar në strategjinë për përforcimet e mundshme, veçanërisht në repartin ofensiv. Lojtarë si Benjamin Šeško dhe Viktor Gyökeres janë në listën e objektivave të Bayernit, por prania e Kane në skuadër mund t’i kufizojë hapësirat për ta, duke ndikuar kështu në zgjedhjet e tyre.
Kjo situatë mund t’i shtyjë këta sulmues të shqyrtojnë alternativa të tjera, veçanërisht në Premier League, ku mund të kenë më shumë minuta loje dhe mundësi për t’u shprehur. Qëndrimi i Kane te Bayerni, pra, nuk ndikon vetëm te skuadra gjermane, por ka pasoja edhe në tregun e sulmuesve dhe vendimet e lojtarëve që kërkojnë një destinacion të ri.