Ka shpërthyer përfundimisht lufta mes Kylian Mbappe dhe PSG. Ish-ylli i skuadrës pariziene, tani lojtar i Real Madridit, ka ndërmarrë një veprim të bujshëm ligjor kundër ish-klubit të tij, duke e akuzuar për mosshlyerje të pagave dhe bonuseve të prapambetura.
Rezultati? Bllokimi gjyqësor i 55 milionë eurove në llogaritë bankare të PSG-së, si dhe kërkesa formale drejtuar Federatës Franceze të Futbollit për të njoftuar UEFA-n për mospagimin e detyrimeve, çka mund të çojë deri te përjashtimi i klubit nga Champions League 2025-2026. Sipas “Corriere della Sera”, çështja përfshin gjithashtu akuza për presion gjatë negociatave për rinovimin e kontratës, si dhe një fushatë shpifjesh të dyshuara ndaj lojtarit në rrjetet sociale.
55 MILIONË TË BLLOKUARA
Çështja ka hyrë në një fazë përplasjeje të hapur, pas konferencës për shtyp të mbajtur nga avokatët e Mbappé, ku ishin të pranishëm edhe prindërit dhe këshilltarët e tij, Fayza Lamari e Wilfrid Mbappé. Ata njoftuan se, pas muajsh heshtjeje dhe përpjekjesh për zgjidhje paqësore, gjykata franceze ka miratuar bllokimin e 55 milionë eurove, që sipas Mbappé përbëjnë paga dhe bonuse të pa paguara ndaj tij nga PSG. Federata Franceze e Futbollit i kishte bërë thirrje më parë PSG-së të rregullonte situatën, por për shkak të mungesës së reagimit nga klubi, pala ligjore e lojtarit vendosi të veprojë në rrugë gjyqësore.
KËRKESA PËR PËRJASHTIM NGA CHAMPIONS
Situata rëndohet më tej nga kërkesa drejtuar Federatës Franceze që ta raportojë çështjen në UEFA. Mospagesa e tre muajve të fundit të pagës përbën shkelje të rregullave të pranimit në garat europiane, gjë që mund të sjellë përjashtimin e PSG-së nga edicioni 2025-2026 i Champions League.
NDARJA ME POLEMIKA
Kjo përballje ligjore është vetëm kulmi i një ndarjeje shumë të tensionuar, që filloi me kalimin e Mbappé te Real Madridi. PSG e përjetoi largimin e tij si një tronditje, veçanërisht pas largimeve të mëparshme të Neymar dhe Messit. Kjo solli ndryshim të thellë në filozofinë e klubit, duke u fokusuar tani më shumë te grupi dhe lojtarët e rinj, sesa te yjet individualë.
AKUZA PËR PRESION DHE SHPIFJE
Përveç ankesave financiare, avokatët e Mbappé kanë ngritur kallëzim penal ndaj personave të panjohur për një fushatë shpifjeje ndaj lojtarit në rrjetet sociale. “Corriere della Sera” shkruan se ekzistojnë dyshime për përfshirjen e mundshme të PSG-së, që mund ta ketë ushqyer ose lehtësuar këtë fushatë denigrimi të Mbappe. Gjithashtu, janë ngritur akuza për presione të padrejta që PSG i ka bërë Mbappé për të firmosur rinovim kontrate, para se të largohej drejt Madridit, çka shkel kufijtë e një marrëdhënieje profesionale.
PËRGJIGJJA E PSG-SË: FANTAZI
PSG nuk ka vonuar me përgjigjen. Në një deklaratë zyrtare, klubi hodhi poshtë çdo akuzë, duke i cilësuar pretendimet e avokatëve të Mbappé si “sikur vijnë nga një univers paralel”. Klubi theksoi se gjykata e punës është e vetmja e autorizuar për këtë çështje, duke shprehur habi për ndjekjen e rrugëve të tjera ligjore. Gjithashtu, PSG theksoi “përfitimet e mëdha” që lojtari ka pasur gjatë shtatë viteve në Paris, teksa foli për mungesë mirënjohjeje nga ana e tij. Në fund, kërkoi respekt për vlerat e klubit dhe tifozëve, duke bërë thirrje për “besim, ndershmëri dhe lojalitet” nga ish-lojtari i tyre.