Gara për drejtorin e ri sportiv të Milanit mbetet e hapur, por Igli Tare po shihet gjithnjë e më shumë si kandidati kryesor.
Së fundmi, Giorgio Furlani ka zhvilluar një takim njohës me ish-drejtorin e Lazios, për të vlerësuar idetë, metodologjitë dhe vizionin e tij mbi të ardhmen e klubit kuqezi.
Profili i Tares është mjaft tërheqës për drejtuesit e Milanit: ai ka përvojë të gjatë në ndërtimin e skuadrave konkurruese, di të operojë me kujdes në tregun e transferimeve dhe ka njohuri të thella mbi futbollin italian.
Për më tepër, ndryshe nga disa kandidatë të tjerë si D’Amico i Atalantas, Tare është i lirë dhe mund të nënshkruajë menjëherë.
Përpos cilësive të tij profesionale, kjo nuk është hera e parë që Tare është afër Milanit. Në vitin 2019, Paolo Maldini e kishte përzgjedhur si drejtori ideal sportiv, por kontrata e tij me Lazion dhe refuzimi i presidentit Lotito e bllokuan marrëveshjen.
Madje, marsin e kaluar ai kishte arritur një projekt-marrëveshje pas një takimi me Ibrahimovic dhe Gerry Cardinale në Londër.
Megjithatë, Furlani po tregohet i kujdesshëm. Ai po merr kohën e nevojshme për të vlerësuar të gjithë opsionet në dispozicion, duke përfshirë edhe ndikimin që drejtori i ri mund të ketë në zgjedhjen e trajnerit dhe aspektet ekonomike të projektit të ardhshëm.
Takimi i fundit në Romë ndërmjet Furlanit dhe Tares e konfirmon seriozitetin e kësaj kandidature. Kontaktet mes palëve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të thelluar diskutimet. Tare mbetet favorit, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.