Simone Inzaghi, trajneri i Interit, foli për “Sky Sport” në prag të ndeshjes kundër Bayern Munich, që do të zhvillohet të mërkurën mbrëma në “San Siro”, e vlefshme për çerekfinalet e kthimit të Champions League. Ndeshja nis nga rezultati 2-1 në favor të zikaltërve, por trajneri mbetet i kujdesshëm dhe kërkon përqendrim maksimal:
“Të gjithë e dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje, nuk duhet të mendojmë për rezultatin e çerekfinales së parë, por të nisemi nga paraqitja e shkëlqyer që bëmë në ‘Allianz Arena’. E dimë që do të na duhet një ndeshje shumë e mirë për të kaluar më tej”.
A do të shohim një Inter ndryshe, krahasuar me ndeshjen e parë, sidomos në qasjen ndaj lojës?
Do të jetë një ndeshje e ngjashme me atë që pamë në Mynih, ku nga njëra anë do të duhet të vuajmë dhe nga ana tjetër do të kemi raste, kur ta kemi topin në zotërim. Jemi të vetëdijshëm që do të përballemi me një kundërshtar të madh, që mund të na vërë në vështirësi në çdo moment.
Është folur shumë për festën tuaj pas vërshëllimës përfundimtare të ndeshjes së parë. Kompany ka deklaruar se Interi festoi shumë, duke qenë se ishte vetëm pjesa e parë e një përballjeje me dy ndeshje. Çfarë mendoni?
Për këtë kam folur tashmë në konferencën pas ndeshjes me Cagliari. Festuam në mënyrë normale me tifozët tanë, që ishin të pranishëm në Mynih. Tani e dimë që duhet të luajmë aktin e dytë në stadiumin tonë.