Me një tregolësh të shënuar mbrëmë kundër Barcelonës, Serhou Guirassy u bë golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve për këtë edicion deri tash, duke arritur në kuotën e 13 golave.
Sulmuesi i Borussia Dortmundit megjithatë nuk do të mundë të synojë arritje të tjera duke e pasur parasysh se fitorja 3:1 mbrëmë ndaj “Blaugrana” ishte e pamjaftueshme për ekipin e Niko Kovacit për ta prekur gjysmëfinalen duke e pasur parasysh se gjiganti katalunas e kishte fituar lojën e parë çerekfinale me rezultat të thellë, 4:0.
Ata që mbesin ende në garë janë dy yjet e Barcelonës, Raphinha e Robert Lewandowski, të cilët e ndjekin ish-futbollistin e Stuttgartit me 12 e 11 gola, ndërsa Harry Kane është ndalur në 10 gola, me një ndeshje më pak të luajtur.
Më larg tyre e gjen veten Lautaro Martinez, i cili me Interin i ka shënuar 7 gola, ndërsa do të zbresë në fushën e blertë sonte, njëjtë si sulmuesi anglez i Bayern Munichut.
Në shënjestër është edhe një tjetër rekord, ai i regjistruar nga Cristiano Ronaldo në vitin 2014, kur legjenda portugeze i realizonte 17 gola brenda një sezoni në Champions me Real Madridin.
Askush s’ka mundur ta arrijë këtë shifër deri tash.
Shënuesit më të mirë në një sezon në histori të Championsit:
1) Cristiano Ronaldo: 17 gola me Real Madridin në sezonin 2013/14;
2) Cristiano Ronaldo: 16 gol me Real Madridin në sezonin 2015/16;
3) Robert Lewandowski: 15 gola me Bayern Munichun në sezonin 2019/20;
4) Cristiano Ronaldo: 15 gola me Real Madridin në sezonin 2017/18;
5) Karim Benzema: 15 gola me Real Madridin në sezonin 2021/22;
6) Lionel Messi: 14 gola me Barcelonën në sezonin 2011/12.
Renditja e golashënuesve më të mirë të Championsit 2024/25:
1) Guirassy (Borussia Dortmund) 13 gola;
2) Raphinha (Barcelona) 12 gola;
3) Lewandowski (Barcelona) 11 gola;
4) Kane (Bayern Munich) 10 gola;
5) Haaland (Manchester City) 8 gola;
6) Lautaro Martinez (Inter), Pavlidis (Benfica), Julian Alvarez (Atletico Madrid), Dembelé (Paris Saint-Germain), Mbappé e Vinicius (Real Madrid), David (Lille) 7 gola.