Wojciech Szczesny po kalon një sezon të jashtëzakonshëm, një sezon për film, apo më saktë për një serial televiziv, duke qenë se sot iu kushtohen të tillë edhe shumë kampionëve të sportit. Verën e kaluar ai u largua nga Juventusi, më pas vendosi të tërhiqej nga futbolli, por gjatë kohës që ishte në “pensionin” e tij të qetë, në plazh, mori një telefonatë.
Fillimisht tha jo, pastaj po. Dhe iu bashkua Barcelonës, që kryeson në La Liga dhe ka arritur në gjysmëfinale të Champions League. Rezultate të arritura falë pritjeve të tij vendimtare, që u vlerësuan nga Fabio Capello, i cili nuk kurseu kritikat ndaj Juventusit, klub i cili i la të largohej pa shumë ngurrim.
Verën e kaluar, Juventusi bleu Di Gregorio dhe konfirmoi Perin. Portieri polak u la jashtë planeve. Marrëdhënia mes palëve ishte shumë e mirë. Szczesny arriti marrëveshje me klubin bardhezi dhe ndërpreu kontratën para mesit të gushtit. Pas gati dy javësh, polaku shpalli tërheqjen nga futbolli, një lajm që i habiti të gjithë.
Kaloi një muaj dhe Szczesny vendosi të rikthehej në fushë. Barcelona humbi për të gjithë sezonin, ose pothuajse, titullarin Ter Stegen. Merkatoja ishte mbyllur, por jo për lojtarët pa kontratë. Tërheqja nga futbolli mund të presë, ashtu edhe ndeshjet e golfit. Kështu mendoi portieri polak dhe pranoi ofertën e Barcelonës.
Ish-portieri i Romës dhe Arsenalit ishte një nga protagonistët absolutë në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Champions League kundër Borussia Dortmundit. Barcelona, pas fitores 4-0 në ndeshjen e parë, dukej e sigurt, por rrezikoi shumë dhe humbi 3-1. Szczesny shkëlqeu me një sërë pritjesh të jashtëzakonshme.
Duke komentuar paraqitjen e tij në “Westfalen Stadion”, Fabio Capello lëshoi një thumbim drejt Juventusit, që e kishte lënë të largohej shumë lehtë: “Kjo tregon që ata që e kishin në shtëpi nuk e kishin kuptuar vlerën e vërtetë të lojtarit. E kishin cilësuar si një ish-lojtar. Më pas vendosën të besonin te një portier i ri”.