Mesfushori i Bayern Munich, Joshua Kimmich, foli pas eliminimit nga Champions League. Për “Sky Sport Deutschland”, mesfushori bavarez bëri një bilanc të sezonit: "Kemi kaluar momente të mira dhe të këqija. Kemi humbur shumë ndeshje.
Kur humbet kaq shumë brenda një viti, në një moment do të eliminohesh. Duhet të përmirësohemi ndjeshëm në ndeshjet e rëndësishme, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Nuk është se nuk mund të konkurojmë, nuk ishim skuadra më e dobët, por nuk arritëm të ishim efikasë dhe të fitonim. Kjo është ajo që duhet të ndryshojmë".
Prania në finale e “Allianz Arena” do të kishte qenë speciale: "Do të kishte pasur një rëndësi të madhe për tifozët, klubin, të gjithë. Do të kishte qenë diçka e mrekullueshme, por kjo ëndërr u venit. Kjo sjell shumë hidhërim. Do ta ndjejmë akoma më shumë kur finalja të luhet në stadiumin tonë dhe ne nuk do të jemi aty. Është shumë e bezdisshme".
Çfarë mungoi?
"Na mungoi menaxhimi i duhur i lojës. Ne shënuam përpara Interit, por pastaj u ndëshkuam 10 minuta më vonë. Në ndeshjen e parë barazuam dhe pastaj pësuam gol vetëm 3 minuta më pas. Janë momente kyçe që duhet t’i kontrollojmë më mirë. Kur shënon një gol, duhet të jesh i aftë të menaxhosh 10-15 minutat pasuese".
Ndeshja e fundit në Champions për Muller:
"Në një moment, të gjithë do ta luajmë ndeshjen tonë të fundit. Qartësisht Thomas është i zhgënjyer që përfundoi me një eliminim. Do të më kishte pëlqyer shumë ta shihja në finale në shtëpi, por këtë vit nuk ndodhi".