Vora ditën e sotme është shpallur kampione e Kategorisë së Parë duke siguruar pjesëmarrjen në Superiore për sezonin e ardhshëm. Drejtori sportiv i Vorws, Bazjon Tragaj doli në prononcim për mediat në përfundim të sfidës.
“Të them të drejtën, nuk e kishim menduar të ishim kampionë. Ishim ndërtuar për Superiore, por duke parë rrugën që ishte e mirë, ishte puna jonë që na solli deri këtu. Këta çuna kanë bërë historinë, janë heronj, duhet të shikojmë se çfarë ndryshimesh do ketë. Ka nevojë për shumë hyrje-dalje, por do të shikojmë.
Në fillim e nisëm me infrastrukturën, nuk e menduam që djemtë e akademisë do kishin këtë ecuri. Disa elementë kanë një të ardhme të ndritur, kemi punuar si staf komplet edhe me trajnerët e akademisë. Edhe presidenti normalisht që është gjendur në çdo lloj momenti.
Mendoj se deri tani ia kam bërë hyzmetin punës, deri në momentin që jam korrekt besoj se do ia dal në Superiore. Tani puna ime bëhet edhe më e vështirë aty.
Ne e kemi nisur para tre vitesh, deri tani është gjysma e punës. E kemi nisur me plan, për pak fillojmë pjesën e stadiumit dhe nuk do jemi kalimtarë”, u shpreh Tragaj.