Donis Avdijaj po vazhdon të tregojë formë të lartë në elitën e futbollit austriak, ndonëse vazhdon të injorohet nga Kombëtarja e Kosovës.
Sulmuesi njëzet e tetë vjeçar ka qenë protagonist në fitoren e Hartbergut ndaj Grazerit me rezultat të pastër 3:0, në kuadër të javës së 27-të të Bundesligës së Austrisë.
Avdijaj ka asistuar në golin e parë të ndeshjes, të shënuar nga kroati Patrik Mijiq në minutën e 59-të, për të realizuar më pas vetë golin e dytë në minutën e 70-të. Ai është zëvendësuar në minutën e 84-të.
Me këtë paraqitje, Avdijaj arrin në kuotën e katër golave dhe gjashtë asistimeve në kampionat, ndërkohë që ka shënuar edhe shtatë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime në Kupën e Austrisë.
Pavarësisht formës së tij në rritje, Avdijaj nuk ka qenë pjesë e listës së fundit të trajnerit të Kombëtares së Kosovës. Madje ka kohë që ai nuk ftohet.