Muaji maj pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e disa lojtarëve të rëndësishëm të Real Madridit. Lucas Vázquez, Luka Modriç, Fran García dhe David Alaba do të luajnë për të ardhmen e tyre në “Santiago Bernabéu”, teksa drejtuesit e klubit do të marrin vendime bazuar jo vetëm në performancën aktuale, por edhe në projektet afatgjata të skuadrës.
Lucas Vázquez, të cilit i skadon kontrata në qershor, duket më pranë largimit. Sipas “AS”, mbrojtësi spanjoll do të donte të qëndronte, por ardhja e mundshme e Trent Alexander-Arnold, rinovimi i Dani Carvajal dhe preferenca e trajnerit Ancelotti për Federico Valverde në atë rol, e vendosin Vázquez në pozitë të vështirë.
Luka Modriç, nga ana tjetër, mbush 40 vjeç në shtator, por është i vendosur të vazhdojë edhe një sezon me “Los Blancos” dhe të synojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 me Kroacinë. Edhe pse trajneri aktual do ta mbante, gjithçka do të varet nga strategjia e re e mesfushës, ku Martín Zubimendi shihet si përforcimi kryesor dhe, gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Ancelotti do të vijojë në stolin madrilen.
Fran García, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, është aktivizuar rregullisht, por jo në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Interesi i Realit për Alphonso Davies e vendos në një situatë të pasigurt, megjithatë mungesa e alternativave të vërteta në krahun e majtë të mbrojtjes mund ta mbajë në Madrid.
Situata më e ndërlikuar është ajo e David Alaba, i cili ka munguar për më shumë se një vit për shkak dëmtimesh. Paga e tij prej 12 milionë eurosh neto në vit, deri në 2026, shihet si barrë e rëndë për një lojtar pa garanci fizike. Me rikthimin e Éder Militão, rritjen e Raúl Asencio dhe Joan Martínez, klubi është i hapur ndaj një largimi të mundshëm të Alabas.
Në muajin maj, Real Madridi pritet të marrë vendimet finale, duke pasur parasysh projektin e së ardhmes dhe balancat financiare. Me ndryshime të mundshme në stolin teknik dhe objektiva të rinj në merkato, disa emra të njohur mund të përshëndeten me klubin pas përfundimit të sezonit.