Real Madrid planifikon largimin e 4 yjeve në verë, ja për kë bëhet fjalë

- Bota Sot

Real Madrid planifikon largimin e 4 yjeve në verë, ja për kë bëhet fjalë

Muaji maj pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e disa lojtarëve të rëndësishëm të Real Madridit. Lucas Vázquez, Luka Modriç, Fran García dhe David Alaba do të luajnë për të ardhmen e tyre në “Santiago Bernabéu”, teksa drejtuesit e klubit do të marrin vendime bazuar jo vetëm në performancën aktuale, por edhe në projektet afatgjata të skuadrës.

Lucas Vázquez, të cilit i skadon kontrata në qershor, duket më pranë largimit. Sipas “AS”, mbrojtësi spanjoll do të donte të qëndronte, por ardhja e mundshme e Trent Alexander-Arnold, rinovimi i Dani Carvajal dhe preferenca e trajnerit Ancelotti për Federico Valverde në atë rol, e vendosin Vázquez në pozitë të vështirë.

Luka Modriç, nga ana tjetër, mbush 40 vjeç në shtator, por është i vendosur të vazhdojë edhe një sezon me “Los Blancos” dhe të synojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 me Kroacinë. Edhe pse trajneri aktual do ta mbante, gjithçka do të varet nga strategjia e re e mesfushës, ku Martín Zubimendi shihet si përforcimi kryesor dhe, gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Ancelotti do të vijojë në stolin madrilen.

Fran García, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, është aktivizuar rregullisht, por jo në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Interesi i Realit për Alphonso Davies e vendos në një situatë të pasigurt, megjithatë mungesa e alternativave të vërteta në krahun e majtë të mbrojtjes mund ta mbajë në Madrid.

Situata më e ndërlikuar është ajo e David Alaba, i cili ka munguar për më shumë se një vit për shkak dëmtimesh. Paga e tij prej 12 milionë eurosh neto në vit, deri në 2026, shihet si barrë e rëndë për një lojtar pa garanci fizike. Me rikthimin e Éder Militão, rritjen e Raúl Asencio dhe Joan Martínez, klubi është i hapur ndaj një largimi të mundshëm të Alabas.

Në muajin maj, Real Madridi pritet të marrë vendimet finale, duke pasur parasysh projektin e së ardhmes dhe balancat financiare. Me ndryshime të mundshme në stolin teknik dhe objektiva të rinj në merkato, disa emra të njohur mund të përshëndeten me klubin pas përfundimit të sezonit.



Read it all at Bota Sot