Për kapitenin Bunjamin Shabani, do të jetë kjo hera e dytë që do të luaj në një finale me fanellën e Struga Trim Lum.
Dëshira e tij, është që të rrëmbejë këtë trofe që i mungon në karrierën e tij, pas atyre dy titujve kampion…
Trofeu i Kupës është ai që na mungon, ashtu që nëse eventualisht të njëjtin e sjellim në Strugë, me siguri se do të ishte “qershia mbi tortë” për këtë edicion.
Me fitimin e Kupës, neve do të siguronim sërish një vend për në garat europiane, që njëherit është edhe objektivi ynë kryesor si skuadër.
Kualifkimi në finalen e madhe ka kënaqur të gjithë ekipin, gjithë struganët dhe tifozët tanë të flaktë, e në veçanti kapitenin Bunjamin Shabani, që do të luaj finalen e tij të dytë si pjesë e Struga Trim Lum.
“Për mua është kjo finalja e dytë që do e luaj me fanellën e Struga Trim Lum. Na mungon ky trofe, ashtu që do të bëjmë çmos që të njëjtin ta sjellim në Strugë.
Ky qytet i bukur vërtetë e meriton një gjë të tillë, e mbi të gjitha familja Qyra që ka bërë që ky qytet të njihet tashmë edhe në kartën europiane të futbollit” – u shpreh kapiteni Shabani, i cili foli për ndeshjen e sotme me Shkëndijën, ku pavarësisht barazimit 1:1, arritëm që të sigurojmë finalen, kjo falë fitores në ndeshjen e parë në Tetovë me shifrat 2:1.
“Për ne me rëndësi ishte që të siguronim finalen e madhe. Në ndeshje të këtilla, siç ishte ajo sot kundër Shkëndijës, shumë rëndësi ka aspekti taktik, pasi momente të veçanta e vendosin ndeshjen. Neve si skuadër i’a arritëm qëllimit dhe me siguri që jemi të kënaqur, që për herë të dytë do të luajmë në një ndeshje finale.” – u shpreh Shabani, që gjithashtu foli edhe për kundërshtarin në finalen e madhe, Vardarin.
“E dimë që bëhet fjalë për një skuadër shumë kualitative. Do të jetë një finale shumë interesante, e luftuar shumë, mirëpo mendoj se kemi cilësinë e duhur për të fituar këtë trofe” – deklaroi Bunjamin Shabani, i cili te skuadra jonë tashmë ka hyrë në vitin e tij të 5-të.
Ndeshja finale ndërmjet Struga Trim Lum dhe Vardarit do të zhvillohet me 21 maj në stadiumin e qytetit në Shkup.