Alphonso Davies rinovon me Bayernin, por shkakton kaos brenda klubit

- Bota Sot

Alphonso Davies rinovon me Bayernin, por shkakton kaos brenda klubit

Rinovimi i kontratës së Alphonso Davies me Bayernin ka shkaktuar jo pak zhurmë në ambientin e klubit gjerman.

Sipas raportimeve nga Gjermania, mbrojtësi kanadez ka përfituar një prémio rinovimi prej 22 milionë eurosh, një shifër rekord që ka krijuar precedent brenda skuadrës bavareze.

Ky rinovim luksoz është bërë nën drejtimin e Max Eberl, drejtues sportiv i cili po përballet me kritika të brendshme për mënyrën se si po menaxhon financat dhe kontratat.

Krahas Davies, edhe Jamal Musiala ka përfituar një pagesë të majme, megjithatë në nivele më të ulëta dhe të konsideruara të justifikuara nga tregu.

Ndërkohë, lojtarë si Joshua Kimmich dhe Dayot Upamecano kanë nisur të kërkojnë rritje të ndjeshme të pagës duke u mbështetur në marrëveshjen e Davies si pikë reference.

Davies, që kishte oferta të forta nga klube të mëdha si Real Madrid, pranoi të qëndronte në ‘Allianz Arena’ deri në vitin 2030, me një pagë vjetore që arrin në 15 milionë euro.

Përveç ndikimit në dhomat e zhveshjes, situata ka alarmuar edhe bordet drejtuese.

Uli Hoeness, figurë kyçe në suksesin ekonomik të klubit ndër vite, ka shprehur shqetësimin për gjendjen aktuale financiare:

“Nuk ka mbetur shumë në llogarinë tonë afatgjatë.

Duhet të rishqyrtojmë mënyrën si menaxhojmë ekonominë”, tha ai për Welt am Sonntag, duke lënë të kuptohet se klubi mund të jetë i detyruar të kërkojë kredi për blerjet e ardhshme – një skenar i paprecedentë për Bayernin.

Kështu, rinovimi i Davies jo vetëm që ka sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në skuadër dhe financat e klubit, por ka hapur edhe një debat të gjerë mbi politikën e kontratave në një prej klubeve më të fuqishme të Europës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot