Liverpooli në prag të lavdisë

- Bota Sot

Liverpooli në prag të lavdisë

Liverpooli është vetëm një hap larg nga lavdia: pas barazimit të Arsenalit mbrëmjen e djeshme, “The Reds” kanë nevojë për vetëm një pikë në katër ndeshjet e mbetura për të siguruar matematikisht titullin e 20-të kombëtar në historinë e tyre.

Aktualisht, ata ndodhen 12 pikë përpara Arsenalit, kur kanë mbetur edhe katër javë deri në përfundimin e sezonit të Premier League.

Të dielën, në Anfield, Liverpooli do të presë Tottenhamin, dhe pikërisht në këtë përballje mund të shpallet kampion – përballë një rivali historik të Arsenalit, gjë që do e bënte festën akoma më të ëmbël për tifozët.

Mjafton të mos humbasin, që të barazojnë rekordin e Manchester United me 20 tituj kampion.

Edhe në rast të një humbjeje ndaj Tottenham-it, festa mund të shtyhet vetëm për pak: vetëm një fitore e Arsenalit të shtunën kundër Bournemouth-it do të mund ta vononte kurorëzimin.

Por edhe në atë rast, Liverpooli do të kishte mundësinë të sigurojë titullin javën pasardhëse kundër Chelsea-t, duke marrë qoftë edhe një barazim.

Matematikisht, Arsenali ka ende shpresa, por janë thjesht teorike: duhet të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, ndërsa Liverpooli të humbasë katër herë rresht – dhe gjithçka të vendoset nga diferenca e golave, ku momentalisht londinezët janë 10 gola prapa.

Pas një sezoni dominues, veçanërisht që nga fundi i vitit të kaluar, skuadra e Arne Slot është gati të hyjë në histori, duke rikthyer trofeun në “Anfield” dhe duke e barazuar përfundimisht Manchester United në majën e futbollit anglez.



Lexoni të gjitha në Bota Sot